Meta: Të vendosim në vend drejtësinë sociale të munguar!

Presidenti shqiptar Ilir Meta ka bërë të shtunën thirrje për vendosjen sipas tij “drejtësinë sociale të munguar” në vend, ndërsa ka kujtuar se ai mund të shpërndajë edhe parlamentin pas përplasjeve me maxhorancën socialiste.
Në “Ditën Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë” zoti Meta në një status në facebook shkruan se kjo ditë e gjen Shqipërinë në një gjendje tepër të rëndë ekonomike, sipas raporteve të organizatave të huaja prestigjoze. “Banka Botërore në konkluzionet e fundit vjetore e rendit vendin tonë me recesionin më të lartë në rajon, me një rënie të madhe ekonomike që parashikohet nga – 8% në -9% për vitin 2020” shkruan zoti Meta.
Sipas kreut të shtetit gjithçka ka ardhur “Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit”.
“Varfëria është dhunim flagrant i të drejtave të njeriut, ndaj lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni në radhë të parë është luftë për të garantuar dinjitetin e çdo qytetari dhe drejtësinë sociale, aq të domosdoshme, që meriton një shoqëri si e jona, për t’u zhvilluar sipas standardeve europiane” shkruan zoti Meta. “Është e papranueshme që një grusht oligarkësh dhe banditësh, siç është edhe mafia e inceneratorëve, të pasurohen çdo ditë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa një qytetar në nevojë apo një pensionist me fëmijët në emigracion të mbijetojë me 5.5 USD/dita, në kushtet e rritjes së shfrenuar të çmimeve” shkruan kreu i shtetit.
“Ndaj është koha të veprojmë të gjithë së bashku për të arritur drejtësinë sociale të munguar. Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por të kumbojë aq fort sa të shkallmojë shurdhërinë edhe në zyrën më të humbur të shtetit.
ZËRI I POPULLIT, ZËRI I ZOTIT!
ORA E PËRBALLJES PO AFRON!
ZËRI I POPULLIT, ZËRI I ZOTIT!
ORA E PËRBALLJES PO AFRON!” shkruan presidenti Ilir Meta.
Statusin e tij zoti Meta e shoqëron me pamje nga mitingu i 2 marsit para selisë së presidencës, ku përkrahës të tij i bënë thirrje të shpërndajë parlamentin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




