Mete: Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit

Në forumin “Diaspora Shqiptare për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, në kuadër të Samitit III të Diasporës, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete u shpreh se, “Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit”.
Përfshirja e diasporës shqiptare përmes projekteve dhe investimeve në sektorët prioritarë, theksoi ministri, është e rëndësishme për të promovuar sipërmarrjen dhe investimet e huaja direkt.
Ministri tha se Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit, por edhe për kontribuuesit nga Diaspora.
Në fjalën e tij, Ministri Mete bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit ekonomike në vend, duke theksuar se ekonomia po kalon një moment pozitiv, në një kohë që procesi i integrimit ka ecur me ritme të kënaqshme, gjë që është konstatuar edhe nga Komisioni Evropian në raportin e fundit.
Në këtë kuadër, Ministri tha se diaspora shqiptare ka një rol të veçantë në procesin e integrimit evropian dhe mund të japë një kontribut të çmuar.
“Ky moment i mirë integrues, që kërkon në thelb ndërlidhjen e tregjeve të rajonit me tregjet e Bashkimit Evropian dhe që synon konvergjencën ekonomike të këtyre vendeve me vendet anëtare të BE-së, është një mundësi e mirë për përfshirjen e energjive, kapaciteteve njerëzore dhe financiare, por edhe të njohurive të Diasporës shqiptare në këtë drejtim”, u shpreh Ministri.
Ministri Mete theksoi faktin se diaspora shqiptare ka një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm social e ekonomik të vendit, duke kontribuar në sektorë si energjia, turizmi, inovacioni dhe aftësitë, arsimi, angazhimi i të rinjve, kultura, etj.
Ministri u shpreh se, përtej dërgimit të remitancave, diaspora shqiptare ka potencial për të promovuar sipërmarrjen dhe investimet e huaja direkt, e në këtë kontekst ekzistojnë mundësitë dhe hapësirat për një përfshirje edhe më të gjerë të diasporës, përmes projekteve dhe investimeve në sektorët prioritarë.
Në këtë drejtim, Ministri vuri theksin në ndërmarrjen e veprimeve konkrete përmes angazhimit të strukturave dhe institucioneve shtetërore.
“Besoj se duhet të kalojmë në konkretizim, duke angazhuar strukturat që janë ngritur, Dhomën e Biznesit të Diasporës, Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrin e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit të përkthejmë eksperiencën dhe mësimet e nxjerra gjatë kësaj periudhe në veprime konkrete që bazohen në modelet më të mira që kanë funksionuar edhe në vendet e tjera”, tha Ministri Mete.
“Plani i ri i Rritjes, i prezantuar nga Komisioni Evropian, ku parashikohen 6 miliardë euro grante dhe kredi për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shërbejë gjithashtu si një ankorë për të përshpejtuar më tej reformat. Ky plan synon të sjellë për vendet e rajonit disa nga përfitimet e anëtarësimit, përpara hyrjes zyrtare në BE, të nxisë rritjen ekonomike dhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike” shtoi ai.
Në këtë drejtim, ministri Mete theksoi se, Diaspora Shqiptare ka rol të posaçëm edhe në procesin e integrimit evropian, kjo edhe për faktin se Shqipëria renditet mes shteteve me numrin më të lartë të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijtë në raport me ata që jetojnë brenda vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




