Milo: Shqipërisë i duhen eksportet e shtatë viteve për të shlyer borxhin

Shqipërisë i duhen eksportet e shtatë viteve për të shlyer borxhin e lartë që ajo ka akumuluar ndër vite, tha të premten sekretari për Çështjet Ekonomike dhe Financat në Partinë e Lirisë, Petraq Milo.
Përmes një daljeje për shtyp, z. Milo citoi të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që në vitin 2023 e renditin Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit për sa i përket barrës së borxhit publik.
“Së pari, në fund të vitit 2023, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit, në 60,0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë është 28,1%, në Kosovë është 17,4%, në Malin e Zi është 61,5% e PBB, në Maqedoninë e Veriut është 54,5% dhe në Serbi është 48,9% të PBB,” deklaroi z. Milo.
Për sa i përket nivelit të borxhit publik për frymë, Partia e Lirisë llogarit se sipas censit të ri Shqipëria mban vendin e parë në rajon.
“Në Shqipëri borxhi është 5.634 euro për frymë, në Bosnjë-Hercegovinë është 2.166 euro/frymë, në Kosovë është 1.029 euro/frymë, në Maqedoninë e Veriut 4.415 euro/frymë, dhe në Serbi është 5.546 euro për frymë,” shtoi z. Milo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




