Mimoza Ahmetaj u dënua për ndërtim pa leje, Rama: Prokuroria e Tiranës, “mbretëri xhuxhash” që godet më të dobëtit

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar sërish Prokurorinë e Tiranës, këtë herë për shkak të dënimit të poetes Mimoza Ahmetaj me 40 orë punë publike, për ndërtim pa leje.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan se Prokuroria e Tiranës dënoi “me zell” poeten, në një kohë kur denoncimet nga organet shtetërore, sipas tij, për evazion fiskal dhe për pastrim të miliona dollarëve, “flenë të patrazuara”.

Kreu i qeverisë e konsideron Prokurorinë e Tiranës një “mbretëri xhuxhash”, duke ironizuar me një prej teksteve të shkruara nga poetja, që dënon të dobëtit dhe tregon dobësi me të fortët.

“Pas një këngëtari ja edhe një poete, që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara! Patjetër që çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, po zelli milimetrik në dënimin e atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre të bën për të vjellë përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës ndaj atyre që për qëllime fitimi bëjnë shkelje kilometrike! Tamam “mbretëri xhuxhash” ai organ drejtësie me të dobëtit dhe dobësie me të fortët!”, shkruan Rama.

Poetja është dënuar me 40 orë punë në shërbim të komunitetit me vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës. Ahmeti akuzohet për ndërtim të paligjshëm.

Ndërkohë, edhe më parë, Rama ka “shigjetuar” Prokurorinë e Tiranës, duke e akuzuar se po “fle mbi dosje”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme