Ministri Gogu nga Korça: Zhvillimi ka nevojë për drejtësi që funksionon çdo ditë
Ministri i Drejtësisë Toni Gogu zhvilloi dje (17 prill) një seri takimesh në Korçë, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ku në fokus ishte lidhja mes zhvillimit ekonomik dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë.
Gogu shoqërohej nga Drejtuesi politik i qarkut dhe Kryetar i Kuvendit Niko Peleshi, Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo, Prefektja Florinda Zegullaj dhe Kryetari i Qarkut Petrika Tollkuçi.
Gjatë takimeve me operatorë turistikë, përfaqësues të komunitetit, profesionet e lira dhe qytetarë, Ministri theksoi se rritja e turizmit, vlerësimi i trashëgimisë kulturore dhe rikthimi i diasporës janë tregues pozitivë të zhvillimit të vendit, por kërkojnë një mbështetje të fortë nga shteti i së drejtës.
“Sot pamë dy realitete paralelisht: nga njëra anë një zhvillim real – turizëm që rritet, kulturë që tërheq vizitorë, njerëz që kthehen dhe investojnë; nga ana tjetër, problematika konkrete që lidhen me drejtësinë e përditshme të qytetarëve”, u shpreh Ministri.
Ai nënvizoi se sfidat kryesore mbeten zvarritjet në proceset gjyqësore, vështirësitë në ekzekutimin e vendimeve dhe aksesi i qytetarëve në drejtësi.
Gjatë takimit në Korçë, përfaqësues të komunitetit ligjor ngritën gjithashtu shqetësime konkrete mbi efektet e hartës së re gjyqësore, veçanërisht në lidhje me aksesin e qytetarëve dhe kohëzgjatjen e proceseve, çështje që mbeten në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.
“Qytetarët nuk kërkojnë teori. Kërkojnë që çështjet të mos zvarriten, që vendimet të zbatohen dhe që drejtësia të jetë e aksesueshme për të gjithë,” theksoi ai.
Sipas Ministrit të Drejtësisë, fokusi i punës në vijim do të jetë përmirësimi i funksionimit të sistemit në praktikë, përtej kuadrit ligjor ekzistues.
“Besimi tek shteti nuk ndërtohet me fjalë, por me drejtësi që funksionon çdo ditë,” përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




