Ministri i Jashtëm i Ukrainës:  Evropa të bllokojë anijet ruse, po anashkalojnë sanksionet

Europë | 9 muaj më parë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha ka deklaruar se Evropa duhet të bllokojë flotën e errët (shadow fleet) – anijet që Rusia i përdor për të anashkaluar sanksionet dhe për të eksportuar naftë.

Duke folur online në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, ai sugjeroi edhe mekanizmat kryesorë për të shtuar presionin ndaj Rusisë si dhe për të miratuar një paketë të fortë sanksionesh, të 20-tën, që të përfshijnë kufizime ndaj industrisë së mbrojtjes ruse dhe sektorit të naftës e gazit.

Sybiha kërkoi sanksione specifike kundër kompanive të mëdha ruse si Lukoil dhe Rosneft, duke ndjekur shembullin amerikan.

Ai tha se mbështetja për Ukrainën është investim në sigurinë e përbashkët të Evropës dhe shtoi: “Ne po ju fitojmë kohë – kjo është e vërteta e hidhur. Më mirë ta ndalojmë Rusinë tani në Ukrainë.”

Ai foli për rëndësinë e autonomisë strategjike të Evropës në armatime dhe siguri, për programin PURL për mbrojtjen ajrore dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës, si dhe për nevojën që çështja e aseteve të ngrira ruse të mos hiqet nga axhenda, pasi është “levë e fuqishme për paqe”.

Ministri mirëpriti vendimin e BE-së për të hequr gradualisht gazin rus deri në 2027 dhe falënderoi për 10 milionë eurot e para për Tribunalin Special.

Ai vlerësoi edhe ndihmën energjetike të BE-së në kuadër të “Energy Ramstein” për të forcuar rezistencën e Ukrainës.

Për integrimin evropian, Sybiha tha se viti 2026 duhet të jetë vendimtar: “Anëtarësimi i Ukrainës në BE do ta afronte paqen, do ta forconte BE-në, do t’i jepte Ukrainës garanci tjetër sigurie dhe do të krijonte kushte për rritje ekonomike në Evropë. Ky është elementi kyç i arkitekturës së re të sigurisë evropiane.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme