Ministri i Jashtëm kroat viziton shkollën dhe kopshtin “Iliria” në Fushë-Krujë, rindërtuar me financim nga Kroacia

Ndërsa ndodhet në vendin tonë, ministri për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, vizitoi shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin “Iliria” në Fushë-Krujë, rindërtuar tërësisht nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me një financim prej 1 milion Euro nga Qeveria e Kroacisë.
Shkolla dhe kopshti që i shërbejnë 156 nxënësve dhe kanë në përbërje 14 punonjës mësimor u dëmtuan rëndë nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë në vitin 2019-të. Ndërtimi i tyre u bazua në dy parime themelore: “Rindërtojmë më Mirë” dhe “Rindërtojmë Së Bashku”.
“Rindërtojmë më Mirë” nënkupton struktura më të qëndrueshme që mund t’i bëjnë ballë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, ndërkohë që përmbushin standardet ndërkombëtare për cilësi dhe siguri. Ndërkohë, nxënësit, prindërit dhe komuniteti janë angazhuar në konsultime dhe komunikim të vazhdueshëm për ta sjellë projektin “për shtat” me nevojat e tyre, në kuadër të parimit “Rindërtojmë Së Bashku”.
Shkolla e re, e cila furnizohet me burime të rinovueshme energjie, ofron akses për nxënësit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ka hapësira të dedikuara për kujdesin mjekësor dhe mbështetjen psikologjike. Shkolla ka edhe laboratorë, palestër të mbyllur dhe një fushë sportive. Gjithashtu, kjo shkollë do të shërbejë edhe si qendër komunitare.
Përgjatë vizitës, Ministri për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Kroacisë ndërveproi me fëmijët dhe mësuesit rreth mundësive të reja të mësimnxënies dhe mësimdhënies që tashmë shkolla dhe kopshti i ri ofrojnë.
Në fjalën e mbajtur, ministri tha se rindërtimi i shkollës simbol i shpresës dhe qëndrueshmërisë.
“Kjo shkollë nuk është vetëm një ndërtesë, por është njëkohësisht simbol i shpresës dhe qëndrueshmërisë. Të gjithë kujtojmë tërmetin shkatërrues që goditi Shqipërinë në Nëntor të 2019-tës, duke shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe humbje jete. Sot ne jemi të kënaqur që kemi qenë në gjendje të luajmë një rol në përpjekjet e rindërtimit përmes projektit tonë më të madh të bashkëpunimit dypalësh për zhvillim deri më sot“, tha ai.
Ndërkohë Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino shprehu mirënjohje ndaj mbështetjes të qeverisë kroate, për rindërtimin e shkollave.
“Shkolla dhe Kopshti “Iliria” përfaqësojnë shpresë, qëndrueshmëri dhe progres për komunitetin. Jemi mirënjohës ndaj kësaj mbështetjeje strategjike të Qeverisë Kroate, e cila na ka ndihmuar të ndërtojmë një objekt arsimor të qëndrueshëm dhe me aksesueshmëri të lartë për fëmijët dhe komunitetin e Fushë-Krujës“, tha ajo.
Mbështetja e Qeverisë Kroate në rindërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit “Iliria” reflekton rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndihmuar vendet në menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
Më herët, dy homologët, Gordan Grlik Radman dhe ministrja Olta Xhaçka dolën në një konferencë të përbashkët. Ministri kroat zhvilloi edhe një takim me presidentin e vendit, Bajram Begaj.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



