Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi takon homologun kroat Ivan Anušić: Shqipëria dhe Kroacia, partnerë strategjikë për paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi sot në Zagreb një takim zyrtar me homologun kroat, Ivan Anušić.
Takimi u fokusua tek paqja, siguria dhe stabiliteti në Evropën Juglindore, duke theksuar rolin e dy vendeve si aleatë të NATO-s në ruajtjen e ekuilibrave rajonalë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi e cilësoi bisedën si “shumë të frytshme”, duke theksuar:
“Forcuam edhe më tej miqësinë tonë si aleatë në NATO. Diskutuam tema me interes të përbashkët që lidhen me paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, si dhe mundësitë konkrete për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.”
Ai shtoi se Deklarata trepalëshe ka si qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, duke nënvizuar:
“Në këtë frymë, paqja mbetet themeli i çdo angazhimi tonë. Shqipëria luan dhe do të vijojë të luajë një rol aktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal, duke forcuar marrëdhëniet me aleatët dhe duke thelluar koordinimin me Brukselin, në funksion të një rajoni më të sigurt dhe një të ardhmeje të përbashkët euro-atlantike.”
Nga ana e tij, ministri kroat Ivan Anušić e cilësoi takimin si konfirmim të miqësisë dhe aleancës së fortë mes dy vendeve. Ai deklaroi:
“Mbështetja e Kroacisë për rrugën evropiane të Shqipërisë ka qenë gjithmonë tejet e fortë. Kroacia dhe Shqipëria si vende mike dhe aleate të NATO-s ndajnë një interes të përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. Ne duam të thellojmë bashkëpunimin tonë edhe në fushën e industrisë së mbrojtjes, ku Kroacia dhe Shqipëria mund të bëjnë më shumë së bashku – si për të forcuar kapacitetet mbrojtëse, ashtu edhe për të zhvilluar ekonominë e të dyja vendeve.”
Ai shtoi se bisedimet përfshinë edhe bashkëpunimin në kuadër të Deklaratës Trilaterale për Mbrojtje dhe Siguri, duke sqaruar se,
“Biseduam edhe për bashkëpunimin në kuadër të Deklaratës Trilaterale për Mbrojtje dhe Siguri, e cila nuk përfaqëson asnjë aleancë ushtarake, por ka për qëllim forcimin e stabilitetit të Evropës Juglindore dhe thellimin e marrëdhënieve tona miqësore”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




