Industria ushtarake dhe mbrojtja civile, Vengu nënshkruan 8 marrëveshje me homologun italian: Arritje domethënëse

Aktualitet | 12 muaj më parë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe homologu i tij italian Guido Crosetto kanë firmosur 8 marrëveshje në fushën e mbrojtjes së industrisë ushtarake dhe mbrojtjes civile.

Në një deklaratë nga Roma, pas nënshkrimit të marrëveshjeve dhe pak para nisjes së Samitit të parë Ndërqeveritar Itali-Shqipëri, Vengu tha se kjo është hera e parë që promovohet partneriteti ushtarak Shqipëri-Itali. Po ashtu ai bëri me dije se dy marrëveshje mes kompanisë shtetërore Kajo dhe gjigantit italian “Fincantieri” për prodhimin e anijeve ushtarake dhe jo vetëm, në Pashaliman. Vengu i konsideroi këto marrëveshje si një arritje domethënëse.

“Nga 16-të marrëveshje që nënshkruajmë sot, 8 prej tyre janë të fushës së mbrojtjes së industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes civile. Pikë së pari kemi marrëveshjen e parë prej 3 dekadash tashmë, hera e parë që rinovojmë partneritetin ushtarak me Italinë, për shumë arsye brenda NATO-s për arsye të industrisë ushtarake që  duam të kemi në fokus nga të dyja brigjet e Adriatikut.

Kemi dy marrëveshje që nënshkruhen mes kompanisë shtetërore Kajo, gjigantit italian për prodhimin e anijeve Ushtarake dhe jo vetëm në Pashaliman. Kjo është arritje domethënëse e mbledhjes së dy qeverive.

Një marrëveshje tjetër mes Kajos dhe një kompanie tjetër italiane Leonardo e specializuar në teknologjitë ushtarake, mbrojtjen kibernetike me një fokus të veçantë kësaj radhe dhe në tryezën e dy kryeministrave. Vijojmë dhe me një mbështetje domethënëse sa i përket mbrojtjes civile.

Këtë partneritet duam të çojmë më lart për krijimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, të stërvitjes dhe gjithë sistemit të qëndrueshmërisë së emergjencave civile në vendin tonë dhe krijimin e detyrimit që buron nga BE për të pasur dhe ne numrin europian 112 ku të gjithë qytetarët shqiptar apo vizitorët në vendin tonë t’i referohen për çdo emergjencë që mund të kenë.

Qoftë Italia, Shqipëria apo vendet e NATO janë në fazë ku kanë rritje të buxheteve të mbrojtjes. Diskutova me kolegun italian sesi rritja e buxheteve të mbrojtjes t’i shërbejë jo vetëm dimensionit ushtarak por dhe inovacionit në dimensione të tjera, formimit të ushtarakëve tanë në akademitë italiane, investimet e kompanive italiane në vendin tonë”, deklaroi Vengu.

Më herët, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Vengu shkruante se Shqipëria dhe Italia “ndajnë histori, bashkëpunim dhe një perspektivë të përbashkët” dhe se takimi me homologun italian, Guido Crosetto, u fokusua në forcimin e partneritetit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Shqipëria dhe Italia ndajnë histori, bashkëpunim dhe një perspektivë të përbashkët.

Në kuadër të takimit ndërqeveritar midis dy vendeve tona, pata kënaqësinë të diskutoja me homologun tim Guido Crosetto mbi të ardhmen e bashkëpunimit tonë në mbrojtje dhe siguri, i cili do fuqizohet me nënshkrinim e marrëveshjes së re të bashkëpunimit.

Një faqe e re në kapitullin e pasur të partneritetit tonë transadriatik,  me vizione dhe interesa të njëmendta mbi sfidat e sigurisë në kontinentin tonë”, shkruan Vengu.

Marrëveshja e re synon thellimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve, përfshirë trajnimin e përbashkët të forcave, ndarjen e përvojave teknike dhe forcimin e bashkëpunimit në sigurinë rajonale dhe atë euroatlantike.

Samiti ndërqeveritar Shqipëri–Itali pritet të përfshijë një sërë marrëveshjesh në fusha të tjera si ekonomia, infrastruktura, energjia dhe arsimi, duke shënuar një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme