Ministri Vengu takon këshilltarët amerikanë, hartohet plani i veprimit deri në fund të vitit

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi të premten se, rritja e kapaciteteve me përdorim të dyfishtë civil dhe ushtarak, fuqizimi i programeve në mbështetje të mbrojtjes civile dhe mjekësisë ushtarake, si dhe këshillimi nga SHBA-të në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë, ishin temat kryesore të takimeve të kësaj jave me ambasadorët e Holandës dhe Rumanisë, atashetë ushtarakë dhe 5 këshilltarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që janë integruar me kohë të plotë pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas njoftimit për shtyp, në takimin e posaçëm me këshilltarët ushtarakë amerikanë është bashkërenduar për planin e veprimit për tremujorin e fundit të 2024 me fokus mirë administrimin e burimeve njerëzore dhe një sistem karriere motivues për ushtarakët.
Ky plan veprimi përfshin: planifikimin buxhetor afatmesëm në përputhje me objektivat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe planet e modernizimit; qartësinë dhe Linjëzimin e Politikave të Mbrojtjes me përparësitë e Aleancës; fuqizimin e Industrisë ushtarake; rritjen e kapaciteteve në mbrojtjen kibernetike.
“Në takim me ambasadorin holandez për çështjet kibernetike Ernest Norman, përveç bashkëpunimit dypalësh, në fokus të diskutimit ishte rritja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes civile.”, thuhet në njoftim.
Një tjetër takim i ministrit Vengu ishte edhe ai me ambasadorin e Rumanisë në Tiranë, Oktavian Serban, të cilit i shprehu mirënjohjen për ndihmën që Rumania ofroi gjatë emergjencave të zjarreve në Shqipëri, me dërgimin e dy avionëve ushtarakë, C-27J Spartan dhe C-130 Hercules.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




