Ministria e Arsimit program të posaçëm për integrimin në shkolla të fëmijëve ukrainas të ardhur në Shqipëri

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve ka ngritur një grup pune për të marrë masat e nevojshme për integrimin e fëmijëve të mbërritur në Shqipëri nga Ukraina për t’i shpëtuar luftës.
Ministrja Evis Kushi thekson se për këta fëmijë, krahas masave për arsimimin e tyre të përkohshëm, do të ofrohet edhe mbështetje psiko-sociale.
“Sapo kemi ngritur në MAS një grup pune për marrjen e masave për arsimimin e përkohshëm dhe mbështetjen psiko-sociale të fëmijëve të ardhur nga Ukraina për shkak të luftës. Ky grup do të koordinojë punën me strukturat arsimore në çdo bashki për krijimin e një klime pozitive, mbështetëse dhe të sigurt, duke hartuar edhe një program të posaçëm për arsimimin e tyre.
Së bashku me Ambasadorin e Ukrainës Volodymyr Shkurov diskutuam detajet lidhur me organizimin e këtij procesi, në mënyrë që këtyre fëmijëve t’u ofrojmë gjithçka duhet për një mjedis mikpritës, të ngrohtë e sa më miqësor”, shkruan ministrja Kushi.

Më 16 mars autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se 351 shtetas nga Ukraina ndodhen në Shqipëri që pas nisjes së luftës, me statusin e mbrojtjes së përkohshme, por ky numër mund të jetë më i madh deri ditën e sotme. Shtetasit e Ukrainës që largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë për një periudhë 1-vjeçare pa qenë nevoja të pajisen me leje qëndrimi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




