Ministria e Mbrojtjes raporton te ‘Ligjet’: Pronat ushtarake nuk mbrohen më nga policia ushtarake! PD: Po kush do i mbrojë?

Politikë | 4 vite më parë

Zonat ushtarake nuk do të mbrohen më nga policia ushtarake por vetëm do të mbikëqyren nga ato. Ky është ndryshimi që Ministria e Mbrojtjes kërkon për ligjin për “Policinë Ushtarake”. Zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, e cila ka prezantuar projektligjin në Komisionin e Ligjeve, ka thënë se zonave ushtarake do i hiqet mbrojtja nga policia ushtarake si dhe Ministri i Mbrojtjes nuk do të mbrohet vetëm nga garda por edhe nga policia ushtarake. Sipas ndryshimeve fjalia ‘mbrojtjes e pronës’ është zëvendësuar me ‘mbështetje për mbrojtjen e pronës’. Pronat e ushtrisë do të ruhen në kuptimin fizik nga roje fizike, grupe kontrolli, siguri fizike, rrethim të jashtëm etj., ndërsa Policia Ushtarake do të veprojnë vetëm nëse një gjë të tilla do t’ia kërkojnë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes

“Ligji i miratuar në vitin 2015 ishte risi për strukturën e policisë ushtarake. Ishte hera e parë që u krijua një kuadër ligjor për policinë ushtarake. Por, ky projektligj ka hasur vështirësi në zbatimin e tij. Qëllimi i ndryshimeve ligjore është që e gjithë struktura të realizoj misionin në mbështetje të ligjit dhe e gjithë struktura të ketë një trajtim të barabartë”, tha Zv/Ministrja Dallëndyshe Bici.

Këto ndryshime janë cilësuar korruptive dhe jo në favor të interesit publik për opozitën. Deputetja e PD, Dhurata Çupi ngre pyetjen se kush do i mbrojë tani pronat ushtarake.

“Siç është bërë tashmë e udhës edhe ky është ligj me interesa korruptive. Është një ligj që vetëm interes publik nuk ka. Është ligj i varfër në terminologji. Është ligj me 15 nene, që gjithë atë që e kam thënë, që ju në 15 nene, vetëm një nen ju intereson, pra neni 10. Të tjerat janë zbukurime. Ka theks të fortë korruptiv. Neni 10, shkronja A, ndryshon ‘mbron pronën shtetërore policia ushtarake’ në ‘mbështet pronën shtetërore’. Nuk duhet të kaloj në komisionin e ligjeve. Kush i mbron tanimë pronat ushtarake, nëse nuk e bën policia ushtarake? Në shkronjën k, pas fjalëve “në mbrojtje të personaliteve ushtarake”, dhe ato civile. Pse u dashka ministri të mbrohet me ligj të veçantë?”, tha Çupi.

Ndërsa për mazhorancën këto ndryshime ligjore janë të rëndësishme për të rregulluar marrëdhëniet e Policisë Ushtarake me institucionet e tjera.

“Ka karakter Teknik, s’lidhet me programin e Këshilli i Ministrave. Lidhet me projekt aktet e Ministrisë së Mbrojtjes. Ky projektligj vjen në kuadër edhe të krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë. Do të mundësojë rregullimin e marrëdhënieve ligjore mes policisë ushtarake dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Ka efekte financiare shtesë për Ministrinë”, tha Denis Deliu, deputet PS.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme