Ministrja Spiropali takon Raporterin e PE, Schieder: Synimi ynë, mbyllja e kapitujve brenda 2026-ës

Shqipëria synon që viti 2026 të shënojë një kthesë konkrete në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, duke kaluar nga hapja e negociatave tek mbyllja efektive e kapitujve. Ky ishte mesazhi kryesor i përcjellë këtë të enjte nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë takimit me Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.
Në fokus të diskutimeve ishte marrja e Raportit të Vlerësimit të Standardeve të Ndërmjetme (IBAR), një mekanizëm kyç teknik që zhbllokon fazat e mëtejshme të integrimit.
Rëndësia e IBAR
Spiropali nënvizoi se arritja e piketave të ndërmjetme (IBAR) është momenti vendimtar që pritet këtë vit.
“Diskutuam mbi perspektivën e arritjes sa më parë të piketave të ndërmjetme, si një moment që do t’i hapë rrugën procesit të mbylljes së kapitujve,” u shpreh ministrja pas takimit. Sipas saj, ky hap do ta vendosë Shqipërinë e vitit 2026 në një fazë të re, “edhe më konkrete dhe më të matshme në rrugën drejt anëtarësimit”.
Reformat dhe sundimi i ligjit
Takimi me eurodeputetin Schieder, i njohur si mbështetës i procesit të zgjerimit, shërbeu gjithashtu për të bërë një bilanc të reformave. Palët ndanë vlerësime pozitive për ecurinë e deritanishme, me theks të veçantë te reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore – dy shtyllat kryesore që diktojnë ritmin e negociatave.
Ministrja theksoi “angazhimin e palëkundur të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së, si dhe përafrimin e vazhdueshëm me vlerat dhe qëndrimet e Unionit”.
Spiropali e cilësoi takimin si “miqësor dhe përmbajtësor”, duke vlerësuar rolin e Parlamentit Evropian jo vetëm si monitorues, por edhe si orientues i hapave të mëtejshëm në këtë proces historik për vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







