Mirditë, bllokohen punimet në HEC-in e Thirrës – Bashkia: Kompania ka mangësi në dokumentacion

Kompania që po ndërton HEC-in dhe Fabrikën e Ujit në Thirrë të Mirditës ka mangësi në dokumentacion, sipas Bashkisë Mirditë, e cila pezulloi punimet me një afat 60 ditor dhe e gjobiti në vlerën 300 mijë lekë Pushteti vendor u vu në lëvizje pas ankesave të vazhdueshme të banorëve të tre fshatrave, Thirrë, Sang dhe Hebe të cilët kundërshtojnë këto projekte.
Përfaqësuesi ligjor i banorëve Elton Laska tha se do t’i drejtohen SPAK-ut me një kallëzim penal.
“E shikoni se ka punime. Po grabiten burimet ujore, ku mjedisi, bujqësia, ekosistemi, turizmi po futen në tubacionet e HEC-ve dhe ne kemi 4 vite që kërkojmë shkresat mbi ligjshmërinë e punimeve”, tha Laska.
Vendimi i Bashkisë Mirditë u përshëndet nga banorët e tre fshatrave të cilët vijojnë betejën ligjore për mbrojtjen e burimeve ujore prej 4 vitesh.
Leja për ndërtimin e HEC-it dhe fabrikës së ujit në zonën e Thirrës është dhënë 20 qershor 2018 dhe projekti po zbatohet nga kompania “Sang 1” shpk.
Beteja për këtë çështje vijon të jetë në dyert e gjykatave, por ende nuk ka një vendim të formës së prere, ndërsa deri më tani janë kryer mbi 50% e punimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




