Mitsotakis mesazh Erdogan: Ndrysho kursin nëse do të kesh marrëdhënie të ngushta me BE

Botë | 4 vite më parë

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis i ka dërguar një mesazh nga Praga presidentit turk, pas përfundimit të Samitit joformal të BE. Mitsotakis i bëri thirrje Erdogan që të ndryshojë kurs nëse dëshiron të ketë një marrëdhënie më të ngushtë me BE-në, duke e paralajmëruar presidentin turk se në të kundërt nuk do të gjejë asnjë aleat.

Kryeministri grek ritheksoi se asnjë sfidë nuk do të mbetet pa përgjigje dhe nënvizoi se vënia në pikëpyetje e sovranitetit grek mbi ishujt e Egjeut duhet të ndalet.

I pyetur nëse Greqia do të arrijë në pikën që të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë, ai tha se shpreson se kjo nuk do të jetë e nevojshme.

Me tone të larta ka folur në Samit edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Jo vetëm për Greqinë, por për çdo vend që na sulmon, përgjigja jonë është gjithmonë: Papritmas, mund të vijmë natën. Ata duhet ta dinë këtë. Turqia nuk ka pasur asnjëherë ambicie për territorin apo sovranitetin e asnjë vendi. Ne po luftojmë vetëm për të mbrojtur interesat e vendit tonë dhe të turqve qipriotë”, tha presidenti turk.

Sipas mediave greke, Ankaraja po përshkallëzon provokimet dhe tashmë po përgatitet të çojë platformën e re të shpimit ” Abdulhamit Khan ” në Mesdheun Lindor./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme