Monedha euro në nivelin më të ulët të 5 viteve

Ekonomi | 5 vite më parë

Tregu i këmbimit valuator në Shqipëri ka shënuar ndryshime të dukshme. Në tregun ndërkombëtar, Euro shënon nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit, ndërsa në vend ka filluar të rritet serish, nisur nga kërkesa në rritje për shpenzime në Euro, të lidhura me importin, biznesin, blerjen e pronave, pagesën e kredive etj.

Monedha evropiane, Euro, ka shënuar në nivelin më të ulët që nga viti 2017. Analistët e tregut thonë se monedha po shkon drejt barazimit me dollarin amerikan. Niveli më i ulët në pesë vjet u shënua pasi Rusia preu zyrtarisht gazin për Poloninë dhe Bullgarinë, të cilin ata refuzuan ta paguanin në rubla.

Ky është grafiku i këmbimit në fillimin e kësaj jave, që shënoi edhe vlerën më të ulët të këmbimit në raport me lekun, në vlerën 118,7 lekë për një euro. Rikuperimi erdhi shpejt dhe vlera ia afrua 120 lekë për një euro.

Në tregun ndërkombëtar, Euro është duke rrëshqitur në nivelet më të ulëta të pesë viteve të fundit,  në vlerën 1.056 kundrejt dollarit, nivel që nuk e ka parë që nga 23 dhjetor 2016. Dhe një ndryshim që është regjistruar që nga lindja e valutës së përbashkët, tri herë të tjera, në vitin 2015, në 2003 dhe në 1999. Pika minimale u arrit në 17 Mars 2019 me 1.39 Euro për dollar. (Shih grafikun: https://www.xe.com/currencycharts/?from=EUR&to=USD&view=10Y

Sipas analistëve të Bloomberg Intelligence, monedha e përbashkët “është në rrugën e duhur për të arritur barazinë me dollarin”, një prirje që filloi kur Rezerva Federale njoftoi planin e saj të rritjes së normës bazë të interesit, i cili filloi në prill me + 0.25% dhe pritet të rritet me + 0.5% në maj, ndërkohë që Banka Qendrore Evropiane ecën shumë më ngadalë. 

Në Shqipëri kursi i këmbimit të euros me monedhën shqiptare është duke ndjekur një trend të njëjtë, ndërsa luhatjet e shpeshta gjatë  një dite janë rrjedhojë e ndërkyrjeve në treg nga operatorë të mëdhenj. Nga 125,9 në 4 prill 2020, këtë muaj Euro u shkëmbye me 119,3 lekë.euro, niveli më i ulët i prillit 2022, më i ulti i pesë viteve të fundit: (https://www.xe.com/currencycharts/?from=EUR&to=ALL&view=5Y)

Forcimi i Lekut ndaj Euros në këto përmasa gjatë javëve të fundit ka surprizuar disi edhe agjentët e tregut të këmbimit valutor. Një nënçmim i monedhës kombëtare u shënua në fillim të muajit mars,  kur OSHEE bleu valute, por pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, që shiti Euro në treg, u stabilizua kursi.

Sipas agjentëve të tregut, kërkesë-oferta nga klientët gjatë javëve të fundit nuk ka pasur luhatje shumë të mëdha, ndaj shpejtimi i rënies së Euros gjatë këtyre ditëve mund të shpjegohet kryesisht me operacione të përqendruara dhe shitje në vlera të mëdha nga aktorë të rëndësishëm të tregut. Aktualisht aktorë që kanë shpenzime në Euro, të lidhura me importin, biznesin, blerjen e pronave, pagesën e kredive, etj po të nxiten të blejnë për shkak të kursit të favorshëm, duke ndikuar në në rritje, gjatë këtyre ditëve, të kursit të këmbimit Euro-Lek. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme