Moratoriumi i gjuetisë/ Zhupa: Aeroporti i Vlorës dëmton habitatin e shpendëve! Kumbaro: Mjerë studentët që të kanë pedagoge

Teksa në Kuvend po diskutohet ligji për moratoriumin e gjuetisë, ka pasur përplasje mes ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe deputetes së PD-së, Ina Zhupa.
Deputetja akuzon qeverinë se po shfaros shpendët e rrallë me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe se këtë moratorium e bën sa për sy e faqe.
“Mirela Kumbaro është një garanci, që gjithmonë do të ketë një shkelje kushtetuese në çdo veprim që bën. E ka treguar në çdo dikaster, që arrin të shkelë Kushtetutën, të shkelë Ligjin, arrin të bëjë atë që nuk e mendon njeri se mund ta bëjë. Është shumë mirë në kostumin e shkeljes së Kushtetutës. Nëse do t’i kishte për zemër organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e kafshëve të egra, me siguri nuk do ta kishin ndërtuar Aeroportin e Vlorës në një zonë, ku shfarosin aq shumë shpendë të rralla. Po bëni masakër”, tha Zhupa.
Kjo solli reagimin e ministres Kumbaro, e cila ironizoi deputeten duke thënë se “ia qante hallin studentëve ku Zhupa jep mësimi”
“Ç’të të them. Një përçartje e kuptoj pas një ditë të gjatë edhe mund të jeni lodhur, po pa kryefjalë, pa kundrinorë pa sintaksë pa morfologji, më mori malli për kohën kur isha pedagoge dhe mundohesha të gjeja një cep për t’i dhënë studentëve një notë më të mirë. Por nuk e gjeta se ishte një përçartje totale. Meqë ke qenë edhe pedagoge, je pedagoge problemi nuk e kam tek banaliteti i fjalës, kur banalizohet fjala bëjmë të gjithë si ekspertë, zoologë, të hidrologjisë, detit, malit, fushës, satelitëve. Thjeshtë qaj hallin e studentëve që ju kanë pedagoge”, tha Kumbaro.
Opozita akuzon qeverisë ligji që bëjnë në fakt nuk zbatohet kurrë pasi kjo shihet edhe tek të dënuarit e pakët që gjuajnë këto kafshë dhe shpendë, ndërkohë që në vend po bëhet kërdia duke prishur habitatin e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




