Moti ekstrem godet Azinë, kontinenti po përballet me stuhi vdekjeprurëse dhe valë të të nxehtit

Botë | 3 vite më parë

Kontinenti më i madh dhe më i populluar në botë po përballet me efektet vdekjeprurëse të motit ekstrem të verës, pasi vendet janë përfshirë nga valët e nxehtësisë dhe reshjet rekord të musonit (sezoni i shirave të dendur gjatë verës në vendet aziatike), teksa qeveritë paralajmërojnë banorët të përgatiten edhe për më shumë.

Në muajin korrik, shirat e rrëmbyeshëm përmbytën pjesë të Japonisë, Kinës, Koresë së Jugut dhe Indisë, duke shkaktuar rrëshqitje dheu dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Temperaturat rekord çuan gjithashtu në një rritje të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë, veçanërisht në mesin e komuniteteve vulnerabël siç janë të moshuarit.

Të shtunën, të paktën 13 persona në qytetin qendror të Koresë së Jugut, Cheongju, vdiqën pasi ujërat nga një brigjet e lumit përmbytën një nënkalim, duke bllokuar automjete, përfshirë një autobus.

Të paktën 41 persona kanë vdekur në Korenë e Jugut ditët e fundit dhe mijëra të tjerë janë detyruar të evakuojnë shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim të përkohshëm, pasi rrebesh të mëdha kanë goditur pjesët qendrore dhe jugore të vendit.

Në përgjigje të humbjes së jetëve, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, bëri thirrje për një rishikim të qasjes së vendit ndaj motit ekstrem.

“Kjo lloj ngjarje ekstreme e motit do të bëhet e zakonshme, ne duhet të pranojmë se ndryshimet klimatike po ndodhin dhe ta trajtojmë atë,” tha Yoon.

Në Japoninë fqinje, reshjet rekord në jugperëndim të vendit rezultuan në përmbytje shkatërruese që lanë të paktën gjashtë persona të vdekur dhe shumë të tjerë ende të zhdukur.

“Po bie shi si kurrë më parë,” tha një zëdhënës i Agjencisë Meteorologjike të Japonisë në një deklaratë, duke bërë thirrje për vigjilencë maksimale nga banorët në zonat e prekura.

Nga ana tjetër, disa rajone po përballen me nxehtësi të madhe.

Të hënën, një stacion meteorologjik në Kinën verilindore regjistroi një temperaturë të lartë rekord prej 52.2 gradë Celsius, ndërsa Japonia pa temperaturat të rriten në 39.7 gradë Celsius.

Valët e të nxehtit kanë goditur edhe pjesë të Japonisë . Temperaturat që nga mëngjesi i së hënës u rritën në 39.7 gradë Celsius në qytetin Kiryu, që ndodhet në prefekturën Gunma në ishullin Honshu, më i madhi dhe më i populluari i Japonisë, dhe 39.6 gradë Celsius në qytetin Hatoyama.

Rastet e goditjes nga nxehtësia janë bërë gjithnjë e më të zakonshme tek të moshuarit japonezë, të cilët përbëjnë 28% të popullsisë.

Temperaturat në kryeqytetin Tokio janë rritur në nivele të rrezikshme vitet e fundit, duke i lënë zyrtarët qeveritarë të kërkojnë racionimin e energjisë elektrike ndërsa vendi po përballet me mungesat në rritje të energjisë./ CNN

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme