Moti i keq shtyn 6 ndeshje të Kategorisë së Dytë

Futboll Vendi | 5 vite më parë

Sikundër edhe pritej, moti i keq ka ndikuar sërish në fundjavën e futbollit në vend. Kështu, kushtet atmosferike kanë detyruar Departamentin e Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit të shtyjë disa nga ndeshjet e javës së 19-të të Kategorisë së Dytë, të parashikuara për t’u luajtur këtë fundjavë. Sipas njoftimit të organizmit që qeveris futbollin në vend, pas konsultimeve me klubet dhe duke parë gjendjen e terreneve të rënduara nga reshjet e shirave, Departamenti i Garave ka vendosur që sfidat e Grupit B të Kategorisë së Dytë të mos luhen këtë javë dhe të shtyhen për javën e ardhshme.

Gjashtë ndeshjet e Grupit B ishin parashikuar për t’u luajtur këtë të diel, ndërkohë që nuk ka asnjë ndryshim programi për ndeshjet e Grupit A të Kategorisë së Dytë, që do të luhen këtë javë sipas kalendarit të përcaktuar tashmë. Sa u përket sfidave që janë shtyrë për javën e ardhshme, ato Përmeti-Memaliaj, Tepelena-Labëria, Devolli-Naftëtari, AF Luftëtari-Albpetrol, Këlcyra-Sopoti dhe Gramozi-Flamurtari. Kujtojmë këtu se javë më parë, rreshjet e dëborës patën shkaktuar shtyrjen e një numri ndeshjesh në nivelet e ulëta të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, por  edhe atë moshave dhe femrave.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme