Moto GP, konfirmohet mungesa e 6 herë kampionit të Botës

Ishte përfolur deri më tani si një hipotezë, por të martën pasdreke ka marrë edhe trajtë zyrtare. “Honda” ka bërë të ditur se piloti i saj rezervë, Stefan Bradl, do të zëvendësojë 6-herë “kampionin e botës” në Moto GP, Mark Markezin,në garat hapëse të sezonit të ri në Katar. “Honda” ka deklaruar të hënën se Markez nuk do ta bëjë rikthimin e tij të shumëpritur në Moto GP në garën hapëse të sezonit në Çmimin e Madh të Katarit në fundjavë, pasi është këshilluar nga mjekët se ende nuk e ka kapërcyer dëmtimin e pësuar vjet.
Më pas, ishte vetë Markezi që bëri të ditur se ai do të mungonte edhe në Çmimin e Madh të Dohas, pasi spanjolli do t’i nënshtrohet një tjetë kontrolli mjekësor më 12 prill 2021, në prag të Çmimit të Madh të Portugalisë. Dhe “Honda” ka konfirmuar se kampioni i botës në Moto2 në 2011-ën, Stefan Bradl, do të marrë sërish vendin e Markezit, të cilin e ka zëvendësuar që nga Çmimi i Madh i Republikës Çeke sezonin e shkuar.
“Së pari, dua t’i falënderoj të gjithë ata që më besuan tek HRC-ja dhe t’i uroj Markut një shërim të shpejtë dhe të sigurt”, – ka deklaruar Bradli të martën, duke vijuar: “Kishim teste të kënaqshme parasezonale dhe ndjej që po pilotoj mirë pas një 2020-te të ngjeshur me gara në gjysmën e dytë të saj dhe një nisjeje të mirë të 2021-shit.”
Mungesa e Mark Markezit natyrisht ka zgjuar shpresat për një tjetër kampionat të hapur në Moto GP, që sezonin e shkuar kurorëzoi në mënyrë të papritur Joan Mirin si kampion të botës për pilotë dhe “Suzuki”-n për konstruktorë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




