MPJD i vendos kushte Kreut të Kishës Ortodokse serbe: Dëno sulmet në Veri

Kreut të Kishës Ortodokse serbe, patriarkut Porfirije i është kërkuar që të dënojë apo distancohet nga veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po i ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës të cilët janë përgjegjës për barrikadat e ngritura në atë pjesë.
Kështu thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, që treguan se Porfirije ka bërë kërkesë më 23 dhjetor që të qëndrojë në Kosovë për tri ditë (26-28 dhjetor).
“Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe [KOS] dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me deklaratën paraprake të distancimit nga veprimet dhe aktet e lartpërmendura”, thuhet në njoftim.
Patriarku Porfirije kishte planifikuar të vizitonte Patrikanën e Pejës dhe disa objekte të tjera ortodokse në Kosovë. Sipas MPJD-së deri te ky vendim institucionet kanë ardhur pasi, siç thanë, prifti ortodoks Predrag Popoviq, nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas, afër Beogradit, së fundi kishte pranuar se “ditën e martë të javës së kaluar kishte kaluar kufirin me Republikën e Kosovës ilegalisht, dhe duke përdorur rrugët anësore”, sipas tij “për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it i kishte vizituar protestuesit në barrikadat ne Leposaviq”.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




