Muzhaqi uron festën e 1 Qershorit: Fëmijët meritojnë të gjitha mundësitë për një fëmijëri të bukur

Sociale | 4 vite më parë

Në kuadër të festës së 1 Qershorit, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ishte me fëmijët e Institutit të Nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”.

“Fëmijët meritojnë të kenë të gjitha mundësitë për të jetuar një fëmijëri të bukur”, ka thënë ministrja Muzhaqi, “ndaj programet tona garantojnë gjithëpërfshirjen dhe fuqizimin e tyre”, tha Muzhaqi.

Me sloganin “Zëri arrin aty ku shikimi nuk mundet dot”, u organizua dhe një festival me performanca në këndim, recitim dhe interpretim nga vetë fëmijët e Institutit, me të cilët ministrja ndau dhe një dhuratë simbolike në këtë ditë feste.

Nëpërmjet programit të shkollës 9-vjeçare, duke shtuar lëndët speciale si mësimi i shkrimit Brail, ky institut garanton aftësimin e këtyre nxënësve për vazhdimin e cilësdo shkollë të mesme apo kursi profesional.

Muzhaqi ka bashkëbiseduar me fëmijët rreth mënyrave që mund të përmirësojnë dhe rrisin mbrojtën e të drejtave të tyre, si dhe ka parë nga afër punimet artistike dhe performancat e tyre.

Ajo ka zhvilluar edhe një takim me nxënësit e shkollës “Kosova”, të cilët kishin shprehur perceptimin e tyre ndaj teknologjisë, nëpërmjet vizatimit. Ndërsa ka sjellë në vëmendje edhe programin e kodimit që do të fillojë që në klasë të parë me vitin e ri shkollor dhe mënyrat interaktive që mësojnë për të ndërthurur kompjuterin dhe mjetet e tjera të teknologjisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme