Nadal nuk luan as në Madrid

Rafa Nadal nuk do të luajë edhe në Mutua Madrid Open. Tenisti spanjoll vazhdon me rikuperimin e tij nga dëmtimi i pësuar që në Australian Open. Edhe pse ka hyrë në javën e katërmbëdhjetë, përmirësimi i tij nuk ka ndodhur ende aqsa ai të mund të luajë, ndaj Nadal do të humbasë edhe turneun e Madridit.
Mungesen e tij e ka konfirmuar vet Nadal përmes rrjeteve sociale. Fillimisht ajo që duhet të ishte një rikuperim gjashtë deri në tetë javë ka rezultuar më i gjatë, duke prishur plotësisht të gjitha planet e Nadalit, i cili nuk ishte në gjendje të konkurronte në turneun Indian Wells dhe Miami dhe po shikonte me optimizëm rikthimin në turnetë e fushës me dhe të kuq.
Megjithatë, siç ka rrëfyer vetë Nadal, rikuperimi nuk ka shkuar siç ishte planifikuar pasi, përkundër faktit se spanjolli u shfaq duke u stërvitur në terrenet e Akademisë Rafa Nadal, më në fund iu desh të hiqte dorë nga Monte Carlo Masters 1000 dhe turneu në Barcelonë.
Mutua Madrid Open është turneu i fundit që del jashtë kalendarit për Nadalin, i cili për momentin ka vetëm Masters 1000 në Romë si mundësinë e tij të fundit për të konkurruar përpara sfidës së tij të madhe në Roland Garros, ku do të përpiqet të kërkojë titullin e tij të pesëmbëdhjetë. Gjithnjë nëse dëmtimi i tij do ta lejojë të konkurrojë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




