NBA, surprizojnë Lakers dhe Heat, Clippers shtangin Suns

Basketboll | 4 vite më parë

Seritë mes Memfis dhe Lakers kanë nisur me surpriza pasi me fitoren jashtë fushe të ekipit kalifornian faktori fushë nuk është më në favor të Grizzlies. Por humbja nuk ishte lajmi i vetëm i keq i mbrëmjes për Memfis, të cilët humbën shërbimet e Ja Morant si pasojë e një dëmtimi. Ky i fundit u rrezua keq në një kontrast loje duke rënë në parket me dorën jo mirë të pozicionuar. Sa i përket kronikës të gjithë prisnin shumë nga LeBron James (21 pikë, 11 topa në tabelë, 5 asist, 2 rikuperime dhe tre bllokime) dhe Anthony Davis (22 pikë, 12 topa në tabelë dhe 7 bllokime), por heronjtë ishin Rui Hachimura e Austin Reaves. Japonezi ishte pikëshënuesi më i mirë për Lakers me 29 të tilla edhe pse erdhi nga pankina ndërsa gjermano-amerikani mbylli takimin me plot 23 pikë në llogari duke treguar edhe një herë se mund të jetë një faktor në këtë sezon, të cilin Lakers ishin bërë gati ta arkivonin.

Një tjetër rrezultat surprizues ishte edhe ai në Miluoki ku Bukcs u mundën në parketin e tyre nga Majemi. Ndeshja ishte “e mallkuar” për njërin prej formacioneve më të mira të lindjes pasi ylli i skuadrës mbylli ndeshjen pas vetëm 11 minutash lojë. Giannis Antetokounmpo dëmtoi shpinën dhe për këtë motiv mjekët vendosën që ta merrnin në dhomat e zhveshjes duke lënë të kuptohet se kontrasti me Kevin Love ka qenë “fatal” për grekun, i cili mund të mos jetë prezent edhe në ndeshjet e tjera të kësaj serie. Mungesën e Antetokounmpo-s, Majemi e kapitalizoi në maksimum duke fituar takimin si dhe duke anuluar faktorin fushë për ekipin e Bukcs. Sa i përket kronikës më të mirët në fushë për Majemin ishin Jimmy Butler (35 pikë) dhe Bam Adebayo (22 pikë). E vetmja notë negative për ekipin nga Florida ishte dëmtimi i Tyler Herro, i cili në minutën e fundit të takimit theu dorën e djathtë.

Në Konferencën e Perëndimit surpriza e madhe ndodhi në Arizona, ku formacioni i Suns u mposht nga Los Anxhelos Clippers. Për ekipin vendas nuk mjaftoi prezenca e Durant në parket për të evituar një humbje, e cila tregon shumë mbi vazhdimësinë e serisë të këëtij dueli. Finiks këtë sezon nuk ishte mundur kurrë me Durant në parket, ndërkohë që nga ana tjetër Kawhi Leonard tregoi se atmosfera e “Play-off” e ekzalton. Ylli i Clippers ishte autor i një ndeshjeje të madhe ku shënoi plot 38 pikë.

Ndeshjet NBA Play-Off (16-17 Prill)

MEMPHIS GRIZZLIES-LOS ANGELES LAKERS 112-128

MILWAUKEE BUCKS-MIAMI HEAT 117-130

PHOENIX SUNS-L.A. CLIPPERS 110-115

DENVER NUGGETS-MINNESOTA TIMBERWOLVES 109-80


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme