Ndalon së funksionuari skela lundruese prej 320 milionë dollarësh që SHBA ndërtoi për ndihmat në Gaza
Skela lundruese e cila u ndërtua nga SHBA-ja për të ofruar ndihmë më të shpejtë humanitare për Rripin e Gazës ku vazhdojnë sulmet izraelite, arriti të qëndrojë funksionale vetëm 11 ditë në jetën e saj 23-ditore, raporton Anadolu.
Skela e përkohshme e cila u ndërtua nga SHBA-ja për rreth 320 milionë dollarë dhe u bë funksionale më 17 maj ndaloi së funksionuari, ndërsa ndihma humanitare që Gazës i nevojitej urgjentisht u pezullua pas ngjarjeve të ndodhura së fundmi.
Më 25 maj u nda informacioni se 4 anijet që ofronin mbështetje për skelën lundruese të SHBA-së në Gaza u përfshinë nga rrjedha. Thuhet se vetëm një nga këto anije e cila duhej të balanconte strukturën e skelës së përkohshme u shpëtua. Ndërsa tre anijet e mbetura goditën bregun në Izrael.
Edhe pse Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) pas këtyre zhvillimeve njoftoi se skela e përkohshme ruajti funksionalitetin e saj, pamjet në mediat sociale treguan se realiteti nuk ishte aspak kështu, duke paraqitur se skela lundruese “po notonte me të vërtetë”.
Pentagoni më pas njoftoi se skela e përkohshme ishte dëmtuar për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe rritjes së nivelit të detit dhe se skela do të “çmontohej” ndërsa riparimi i saj do të zgjaste më shumë se një javë.
Skela, për të cilën kanë nisur aktivitetet e tërheqjes në portin e Ashdodit në Izrael, do të “rehabilitohet” nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).
Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh në deklaratën e saj më 28 maj tha se “Skela dëshmoi se është e vlefshme në ofrimin e ndihmës për popullin e Gazës. Pas përfundimit të riparimit të skelës, qëllimi ynë është që ta kthejmë strukturën në bregdetin e Gazës. Kështu ndihma humanitare më e nevojshme mund të dorëzohet përsëri nga skela”.
Sipas të dhënave të Pentagonit, që nga fillimi i funksionimit të skelës më 17 maj e deri më tani në Gaza kanë mbërritur më shumë se 1.000 tonë ndihma humanitare.
Skela e përkohshme qëndroi në funksion për gjithsej 11 ditë në jetën e saj 23-ditore.
Sipas ekspertëve, SHBA-ja e cila më parë ka dërguar ndihma humanitare në Gaza nga ajri, hoqi dorë nga kjo për shkak të kostos së lartë dhe kërkoi që ndihmat të transportoheshin nga deti pasi kushton më pak.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



