Ndarja nga jeta e mjekut të njohur/ Presidenti Begaj: Isuf Kalo, personalitet i përmasave ndërkombëtare në mjekësi

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 80-vjeçare të mjekut Isuf Kalo. Në mesazhin e ngushëllimit, kreu i shtetit shkruan se mjeku Kalo ishte një personalitet i përmasave ndërkombëtare në mjekësi dhe një model profesional për studentët si dhe pacientët e shumtë të cilëve iu përkushtua.
“Mora lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesor Isuf Kalos. Profesor Kalo ishte një personalitet i përmasave ndërkombëtare në mjekësi, një autoritet i padiskutueshëm në fushën e endokrinologjisë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, miqtë e shumtë që ai pati, kolegët dhe studentët që e patën model profesional dhe pacientët e shumtë të cilëve ai iu përkushtua. Të qoftë dheu i lehtë Profesor!’- shkruan Begaj.
Mjeku i njohur, Isuf Kalo ndërroi jetë sot në moshën 80-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas një sëmundje të rëndë.
Kush ishte Isuf Kalo
I lindur më 1942 në Luzat, Tepelenë, Kalo përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964. Prof. Ai u specializua në disa vende evropiane për diabetologji dhe endokrinologji. Për disa vite, Kalo ka qenë kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës. Ai ishte Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor i Mjekësisë dhe i nderuar me Çmimin Punëtor Shkencëtar i Dalluar i Shqipërisë. Deri në vitin 1985 ishte mjeku personal i diktatorit komunist, Enver Hoxha. Midis 1991 dhe 2004 ai u punësua nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, në Kopenhagë, ku drejtoi Programin Evropian të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Evropë. Ai është autor i një sërë botimesh në shtypin mjekësor në Shqipëri dhe jashtë, si dhe ishte anëtar nderi i disa komiteteve ndërkombëtare dhe shoqatave mjekësore në Evropë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




