Ndërpritet shiu, por situata e vështirë – Vjosa në kuota kritike, nis bora në veri dhe juglindje të vendit

Reshjet e shiut janë ndërprerë në pjesën më të madhe të vendit, por situata vijon të mbetet e vështirë si pasojë e prurjeve të larta të lumenjve, veçanërisht të Vjosës, e cila ndodhet në kuota kritike. Ndërkohë, përkeqësimi i kushteve atmosferike është zhvendosur drejt veriut dhe juglindjes, ku kanë nisur reshjet e borës.
Gjirokastër
Këtë të enjte Gjirokastra ka situatë më të përmirësuar. Në të gjithë territorin e qarkut kanë pushuar reshjet e shiut. Aksi rrugor Tepelenë–Gjirokastër, pranë “Shkallës së Zezë”, është i kalueshëm me një sens, për shkak të shkarjes së dherave. Pa energji elektrike është Njësia Administrative Lunxhëri, si dhe ka ndërprerje në disa fshatra malorë të bashkive Gjirokastër, Tepelenë dhe Memaliaj. Niveli i Vjosës në pikëmatjen e urës Memaliaj ka shkuar në 7.5 metra.
Për shkak të fryrjes së lumit Vjosë mbetet risk i lartë për përmbytje në fshatrat Bishan e Fitore të Vlorës, si dhe në zonat e Kashishtit, Cervenit dhe Ferrasit në Fier, pasi niveli i ujit ka arritur në 7.8 metra. 27 familje janë të rrethuara nga uji në Ferras.
Korçë
Mëngjesi i kësaj të enjteje e ka gjetur juglindjen e vendit nën reshje dëbore. Deri më tani nuk raportohen vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Në Qafë Thanë dhe në të gjitha zonat e tjera po punohet për kriposjen e rrugëve. Situatë problematike në Njësinë Administrative Dardhas, Pogradec: pa energji elektrike dhe rrugë të bllokuara. Pas rrëshqitjes së djeshme që bllokoi rrugën kryesore të zonës, probleme të tjera janë konstatuar në aksin Kakaç–Grunjas, ku rruga është bërë e pakalueshme për mjetet.
Shkodër
Gjatë natës reshje bore ka pasur edhe në akset Hani i Hotit–Dogana Vermosh dhe Bogë–Theth, me rreth 15 cm. Aktualisht nuk ka reshje. Grupet e punës vazhdojnë pastrimin dhe kriposjen e akseve. Reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të ulët dhe në pjesën më të madhe të territorit kanë pushuar, ndërkohë që problematikat e evidentuara mbeten të lokalizuara dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse. Në fshatin Vukpalaj të Malësisë së Madhe rruga hyrëse është e bllokuar. Në disa ura hyrëse në fshatin Vukpalaj uji ka arritur nivel mbi 3 m, ndaj është e bllokuar hyrja.
Lezhë
Për 24 orët e shkuara në qarkun Lezhë kanë rënë 29 mm shi. Hidrovorët kanë punuar pa ndërprerje dhe është ndërhyrë për largimin e ujit aty ku ka pasur prezencë. Problem mbeten banesat në afërsi të rrugës Laç–Mamurras, në lagjen nr. 5 Sanxhak dhe fshatin Gjorm, ku janë të rrethuara nga uji 5–6 banesa. Reshje bore ka pasur edhe në Rrugën e Kombit dhe në qarkun Kukës, por deri tani nuk ka asnjë problem në qarkullim.
Pogradec
Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të shiut përgjatë ditëve të fundit, njësia Administrative Dardhas, në Bashkinë Pogradec, po përballet me një situatë të rënduar, ku kjo zonë ndodhet pa energji elektrike dhe rrugë të bllokuara.
Sipas informacionit të deritanishëm, energjia elektrike mungon në të gjitha fshatrat e zonës, duke vështirësuar ndjeshëm jetën e banorëve.
Problematikat janë shoqëruar edhe me bllokime të infrastrukturës rrugore. Pas rrëshqitjes së djeshme që bllokoi rrugën kryesore të zonës, probleme të tjera janë konstatuar në aksin Kakaç–Grunjas, ku rruga është bërë e pakalueshme për mjetet.
Berat
Reshjet e shumta, përmbytje në Dimal dhe Kuçovë, evakuohen 6 familje
Reshjet e shumta të shiut kanë përfshirë qarkun e Beratit, duke sjellë përmbytje dhe dëme të konsiderueshme në disa zona. Ku ndër më të prekurat janë Dimali dhe Kuçova. Në bashkinë Dimal, përmbytjet kanë përfshirë 15 banesa në lagjet “Dafina” dhe “Guri i Bardhë”, si dhe shkollën “Muhamet Janina”. Në fshatin Çiflik janë raportuar përmbytje në tokat bujqësore. Deri më tani janë evakuuar 6 familje, ndërsa në ndihmë janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura. Ndërkohë, në bashkinë Kuçovë, lumi Osum ka dalë nga shtrati në fshatin Tapi, duke përmbytur sipërfaqe të mëdha toke.
Autoritetet vendore dhe emergjencat civile ndodhen në terren për menaxhimin e situatës.
Dibër
Mëngjesi i sotëm ka sjellë reshje dëbore deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit, ndërsa në zonat mbi 1200 metra trashësia e dëborës ka arritur mbi 20 centimetra në qarkun Dibër. Kompanitë kontraktore të mirëmbajtjes dimërore kanë nxjerrë në terren mjetet borëpastruese dhe aktualisht akset rrugore Peshkopi-Kukës, Peshkopi-Lurë dhe Ura e Çerenecit-Steblevë-Librazhd janë të kalueshme.
Reshje dëbore janë regjistruar edhe në Rrugën e Arbrit, në segmentin nga tuneli T6 deri në hyrje të tunelit të Murrizit, në njësinë administrative Xibër, por pa shkaktuar probleme për qarkullimin.
Durrës:
Aktualisht situata është drejt përmirësimit në Durrës, por po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish- Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë. Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve: 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale; disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




