Ndërtimi i sallës së ballos në Shtëpinë e Bardhë – Trump: I nderuar që nisa këtë projekt shumë të nevojshëm

Amerikë | 12 muaj më parë

Presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përshëndeti nisjen e punimeve në krahun lindor të Shtëpisë së Bardhë që do të jetë një sallë e re për ballo. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, në platformën sociale Truth shkroi se është “i nderuar që është presidenti i parë që më në fund nisi këtë projekt shumë të nevojshëm, me zero kosto për taksapaguesit amerikan”.

Pjesa e krahut lindor është shembur dhe tashmë pritet nisja e ndërtimit të sallës së re të ballove presidenciale, që sipas Donald Trump do të modernizohet plotësisht.

Trump gjithashtu, më herët ka sqaruar se në ndërtesën aktuale nuk do të ndërhyhet, dhe ky është vendi i preferuar i tij. ‘’Për më shumë se 150 vjet çdo president ka ëndërruar të ketë një sallë vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë për të akomoduar njerëz për festa të mëdha, apo vizita shtetërore’’ shkruan ai i cili thekson se projekti po financohet nga patriot bujar.  

Për rreth dy shekuj Shtëpia e Bardhë ka shërbyer për presidentët e SHBA-së, dhe krahu lindor, ku nisën punimet për ndërtimin e sallës së ballos, është ndërtuar në vitin 1902 e për herë të fundit është ndërhyrë më 1942. 

Salla e re e vallëzimit që do të ndërtohet në krahun lindor ku ndodheshin zyrat e zonjës së parë Melania Trump dhe poste të tjera kyçe, përveçse do të jetë një shtesë e nevojshme, do të jetë afërsisht 90 mijë metra katrorë dhe me një kapacitet 650 vende, e cila do të përdoret për darka shtetërore dhe ngjarje të mëdha.

Gazetare: Melisa Shameti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme