Ndryshimet klimatike, thatësira rrit rreziqet për furnizimet me energji elektrike në Europë

Botë | 4 vite më parë

Thatësira e vazhdueshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë po e vë nën presion prodhimin e energjisë elektrike, thonë ekspertët.

Energjia elektrike nga hidrocentralet ka rënë me 20% në përgjithësi dhe objektet bërthamore, të cilat ftohen duke përdorur ujin e lumit, janë kufizuar.

Në Mbretërinë e Bashkuar temperaturat e larta po godasin prodhimin e energjisë nga burimet fosile, bërthamore dhe diellore.

Periudha e zgjatur e thatësisë po ushtron presion të mëtejshëm mbi furnizimet me energji, ndërsa Evropa po përpiqet për burime alternative pas pushtimit rus të Ukrainës. Energjia hidrike është një burim i rëndësishëm energjie për Evropën, por mungesa e ujit në lumenj dhe rezervuarë tani po redukton ndjeshëm aftësinë e objekteve për të prodhuar energji elektrike.

Italia merr rreth 1/5 e fuqisë së saj nga hidrocentralet, por kjo ka rënë me rreth 40% në 12 muajt e fundit. Edhe në Spanjë sasia e energjisë elektrike të prodhuar është ulur me 44%, sipas të dhënave nga studiuesit e energjisë Rystad Energy .

Shifrat nuk janë vetëm në një pjesë të Evropës, por të gjitha vendet e mëdha po prodhojnë më pak energji nga hidrocentralet tani.

Norvegjia po përjeton gjithashtu sfida me hidro-elektricitetin. Vendi mund të mos jetë në gjendje të vazhdojë të eksportojë energji në vende si Britania e Madhe nëse rezervuarët e saj nuk mbushen.

Disa në industrinë hidrike thonë se probleme po shkaktojnë edhe mungesa e investimeve në modernizim dhe në linjat e transmetimit.

Moti jashtëzakonisht i nxehtë po godet gjithashtu prodhimin e energjisë bërthamore, veçanërisht në Francë. Rreth gjysma e 56 reaktorëve në flotë janë jashtë linje.

Ata reaktorë që janë duke punuar shpesh ftohen me ujë nga lumenjtë që tani janë në nivele të ulëta, ndërsa temperaturat janë të larta.

Qeveria franceze tani po lejon disa objekte të lëshojnë ujë shumë të ngrohtë përsëri në lumenj, si një masë e përkohshme. Franca tani po kompenson mungesën e energjisë elektrike duke importuar ndër të tjera nga Britania e Madhe.

Analistët thonë se kjo po ushtron presion shtesë mbi sistemin e Mbretërisë së Bashkuar, në një kohë kur moti shumë i nxehtë po godet prodhimin nga objektet e gazit dhe ato bërthamore./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme