Ndryshimi i buxhetit, 5.25 mld lekë më shumë për rrugët

Ekonomi | 2 vite më parë

Pas rishikimit të buxhetit të shtetit për vitin 2024, buxheti për transportin rrugor është rritur me 5.25 mld lekë. 

Sipas tabelave të publikuara në Fletoren Zyratre financimi për këtë program shkon në rreth 29.3 mld lekë, nga rreth 24.1 mld lekë që ishte në buxhetin e ndryshuar në muajin shkurt.

Nga rritja prej 5.25 mld lekë, 4.75 mld lekë janë për shpenzime kapitale apo thënë ndryshe për financimin e projekteve të ndryshme rrugore.

Në raportin e monitorimit të buxhetit për 4 – mujorin e parë të vitit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë specifikonte se nevojiteshin rreth 2,33 mld lekë shtesë për detyrime të prapambetura të krijuara rishtazi në janar – prill 2024. 

Paralelisht, për 2 projekte rrugore Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë gati tenderët për fonde shtesë të nevojshme për përfundimin e tyre.

Projekti i parë është rruga Korçë – Ersekë për të cilin do të hapet një tender me fond limit prej rreth 432.3 mln lekë, ndërsa projekti i dytë është Unaza e Madhe e Tiranës, për të cilin do të hapet tenderi me fond limit prej 167 mln lekë për lotin II.

Ndërkaq, ndër projektet e mëdha buxhetuar për sivjet janë tuneli i Llogarasë, rruga Elbasan – Qafë Thanë, pjesë e korridorit 8, si dhe 3 kontratat e partneriteti publik privat për rrugën e Arbrit, rrugën e Kombit dhe aksin Orikum – Dukat.
 
/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme