Ndryshon ligji për mjedisin, një fond i ri për pyllëzimet dhe rehabilitimin ekologjik

Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë një nismë ligjore për ndryshimin e ligjit bazë “Për mbrojtjen e mjedisit”, duke propozuar krijimin e një institucioni të ri financiar: Fondin Kombëtar të Mjedisit. Ky projektligj, i firmosur nga Ministri Sofjan Jaupaj, synon të kthejë mbrojtjen e mjedisit në një prioritet kombëtar përmes një mekanizmi të centralizuar financimi.
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, ndërhyrja vjen si pasojë e vështirësive që paraqet sistemi aktual. Dokumenti thekson se nevoja për këtë nismë ligjore buron nga “mungesa e një mekanizmi të qëndrueshëm financiar publik i dedikuar ekskluzivisht mbrojtjes së mjedisit”.
Aktualisht, financimi i projekteve mjedisore cilësohet si i shpërndarë dhe jo i sistemuar, gjë që, sipas Ministrisë, “kufizon efektivitetin dhe vijimësinë e politikave kombëtare mjedisore”.
Përjashtimi nga prokurimi publik dhe transparenca
Një nga pikat më rëndësishme të projektligjit është mënyra e administrimit të fondeve. Relacioni sqaron se projektakti synon krijimin e një sistemi “transparent, të centralizuar dhe të bazuar në kritere të qarta shqyrtuese e vlerësuese”.
Për të rritur shpejtësinë e reagimit në terren, projektligji parashikon një rregull të ri procedural: “fondi kombëtar i mjedisit nuk i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik”. Ky ndryshim synon të eliminojë pasiguritë ligjore dhe të shmangë mbivendosjen e kompetencave, duke ia besuar vlerësimin e projekteve një Kolegjiumi të posaçëm me nëpunës të administratës publike.
Impakti në integrimin evropian
Krijimi i këtij fondi lidhet drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht me Kapitullin 27. Ministria argumenton se ky mekanizëm do të ketë një “ndikim të rëndësishëm pozitiv në ecurinë e negociatave të acquis-it komunitar, duke siguruar mekanizma financiarë të verifikueshëm nga Komisioni Evropian”.
Në planin mjedisor, efektet e pritshme përfshijnë mbështetjen e vazhdueshme për “projektet e pyllëzimit, rehabilitimit ekologjik, cilësisë së ujit dhe ajrit, biodiversitetit dhe ndryshimeve klimatike”.
Financimi dhe zbatimi
Fondi do të ketë si burim parësor Buxhetin e Shtetit, por masa vjetore do të përcaktohet rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave. Ministri Jaupaj nënvizon se ky projektligj përbën “një hap të domosdoshëm drejt modernizimit të sistemit shqiptar të financimit mjedisor”, duke krijuar bazat për një menaxhim efikas të fondeve publike në funksion të interesit kombëtar.
Zbatimi i aktit do të monitorohet nga Ministria e Mjedisit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




