Në garë për Tiranën/ Përnaska në “Mirëmëngjes Shqipëri”: Kam filluar ndjej luftën e pisët, kryeqytetit i mungon frymëmarrja

Politikë | 4 vite më parë

Kandidatja e PDIU-së për bashkinë e Tiranës, Lajla Përnaska, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, e vetmja grua që kandidon përballë Erion Veliajt për PS dhe Belind Këlliçit për PD, e sheh garën si një sfidë.

Ajo shprehet se kandidimi i saj nën siglën e PDIU-së, është një mundësi për t’i krijuar votuesit një alternativë teksa thekson se ka filluar të ndjejë luftën e pisët.

“Është sfidë dhe garë e vështirë. Jam e qartë se i njoh mirë garat dhe Tiranën. Në gjykimin tim, ajo që ka ndodhur është që është thyer besimi mes politikanit dhe votuesit. Gara ka nevojë për ide, alternativa.

E kam parë si mundësi për ti krijuar një alternativë votuesit. Ai votues që nuk pranon kandidatët e dy partive kryesore, nuk duhet të rrijë në shtëpi. Duhet të shprehet përmes votës.

Kam filluar të ndjej luftën e pistë. Është kulturë që duhet ti ngelet të kaluarës. Demokracia është përfaqësuese, ëëhstë garë dhe gara nxjerr vlerat më të mira në pah se kush i përgjigjet interesave të qytetarit”, tha ajo.

Pyetur se nëse do të kishte një shkop magjik çfarë do të kishte ndryshuar në Tiranë, Përnaska u shpreh prerë se kryeqyteti ka nevojë për frymëmarrje. Shkak për këtë gjë, sipas Përnaskës, është individi dhe keqqeverisja.

“Tirana ka shënuar transformime të jashtëzakonshme. Dhe është shumëfishuar si qytet. Ka diversitet shumë të madh dhe ka arritje, zhvillim në shumë aspekte sikurse ka dhe problematika. Një problem madhor, se formimi im bazik fillestar është ai i mjekes, është mungesa e frymëmarrjes.

Tirana është bërë qytet shumë i ngarkuar, që nga lëvizshmëria brenda territorit, nga ngarkesa me trafikun, keqmenaxhimi, mungesa e vëmendjes për të adresuar këto probleme në ecurinë e viteve. Keqpërdorim i hapësirave tona publike, zvogëlim i ndjeshëm i hapësirave të gjelbra.

Është individi, njeriu që e ka shkaktuar këtë lloj problematikë dhe është një keqqeverisje në vite në Bashkinë e Tiranës, një pjesë nga paaftësia, një pjesë nga babëzia që është një gangrenë që e vuajmë dhe e kemi sot në kurriz”, theksoi ajo teksa shtoi se nevojitet një vizion i qartë dhe vullnet i fortë për të rregulluar atë çfarë mund të rregullohet në Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme