Në RTSH1-HD, ish- anëtari i KK të PD, Kulluri: Berisha “non grata”! PD përballë dy sfidave!

Politikë | 5 vite më parë

Ish- anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri, në një intervistë dhënë për revistën televizve në RTSH1 HD, ka analizuar zhvillimet në të fundit brenda PD, garën për kryetarin e partisë, problematikat e rënda që janë vënë re në procesin e organzimit të kësaj gare, si dhe shpalljen e ish kryeministrit Sali Berisha, si person “non grata” nga ana e SHBA. Zoti Kulluri informoi se deri tani nga grupimi “Për PD-në”, janë 2 kandidatura, të cilat do të garojnë për kreun e ri të PD, krahas asaj të zotit Basha.  

“Çështja e kandidimit është çështje e vullnetit personal. Nuk përjashtohet njeri nga gara. Fakti që kemi 2 kandidatura nga grupimi ynë, tregon qartë që në startin e betejës për reformim, se jemi grupim i hapur, pa asnjë paragjykim për asnjë që është serioz dhe ka përkushtimin për një PD konkuruese, e cila nëse nuk kthehet tek vlerat e saj më të mira, nuk mund të jetë fituese, nuk mund të konkurojë për pushtet. Sa më shumë kandidatura që të ketë, aq më shumë besoj se do të zgjerohet baza e votave alternative ndaj dështimeve, humbjes e papërgjegjshmërisë së lidershipit aktual. Jemi në një situatë të paprecedentë, ku PD ka humbur 5 palë zgjedhje. Kjo është shkatërruese. Do ishte dëshpëruese për PD që të vijonte me këtë liudership, për shkak të këtij mentaliteti që na ka çuar nga humbja në humbje”, theksoi Kulluri.

Ish anëtari i KK të PD-së, gjatë kësaj interviste, renditi edhe një sërë arsyesh për shtyrjen e garës për kryetar të PD, duke nënvizuar se “kjo garë po zhvillohet në kushte të pabarabarta dhe se i gjithë procesi kontrollohet nga zoti Basha”.  

“Arsyeja se përse u kërkua shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk ka lidhje me marrdhënien e krijuar tashmë mes zotit Berisha dhe Departamentit Amerikan të Shtetit. Arsyeja ka qenë koha e pamjafueshme dhe tinzare e vendosur nga zoti Basha. Ne i kemi kërkuar zotit Basha që ti japë të drejtën PD-së që të votohet, në mënyrë të ndershme dhe të lirë, në mënyrë të barabartë përmes kandidaturave dhe alternativave, siç i ka kërkuar opozita mazhorancës. Nëse zoti Basha vendos kushte të njënashme për të favorizuar veten, kjo do të thotë se do që të vjedh votat, të manipulojë procesin. Zoti Basha vetë e ka akuzuar mazhorancën për garë të pabarabartë, duke ndryshuar Kodin Zgjedhor në mënyrë të njëanshme, dhe po vetë bën të njëjtën gjë në PD. Ne i kemi me video në Vlorë p.sh, që një anëtar i PD ka votuar mbi 17 herë për Lulzim Bashën. Kjo është edhe arsyeja se përse zoti Basha humb zgjedhjet, sepse vjedh votat në partinë e tij. Ndaj ai nuk mundet të krijojë një model për qytetarët dhe demokratët, për të ndryshuar qeverisjen e vendit”, komntoi Kulluri.

Sa i përket shpalljes “non grata” të zotit Berisha nga DASH, Kulluri shprehet se pret që kjo që ka ndodhur, të hapi një diskutim për të ardhmen e PD. Sipas tij, zoti Berisha është lideri historik i PD, njeri me kontribute të jashtëzakonshme, por edhe me difektet e tij, si çdo drejtues politik.

“PD është përballë një sfide të dyfishtë. Së pari, për tu shkëputur nga drejtimi i një lideri të fortë, i cili merr përsipër për të drejtuar partinë në mënyrë të vetme. Ndaj duhet shkuar drejt ndarjes së pushteteve brenda partisë, kontrollit reciprok të pushteteve, sidomos drejt pjesëmarrjes aktive të anëtarëisë në zgjedhje dhe vendimmarrje. Partia duhet ti kthehet anëtarëisë, forumeve dhe nuk duhet të jetë më parti e një lideri të fortë. Zoti Berisha ka qenë shumë më i suksesshëm se zoti Basha në këtë profil. Persona të papërgjegjshëm si zoti Basha, nuk kanë asnjë shans ta drejtojnë PD në mënyrë personale. Zoti Berisha më në fund ka pranuar se dështimet e opozitës në këto 8 vite janë përgjegjësi e Lulzim Bashës, i cili është fshehur pas Berishës në mënyrë të padrejtë. Nuk ishte mirë që zoti Berisha të fliste pas këtij tensioni që ka ndodhur, por më në fund tha të vërtetën se personi i vetëm që ka çuar PD drejt humbjeve radhazi, është vetëm Lulzim Basha. Unë për këtë e përshëndes zotin Berisha”, përfundoi Kulluri.

              


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme