Në Steblevë të Librazhdit dëbora arrin 40 cm, kryebashkiaku Disha: Rrugët janë të hapura, të gjitha njësitë janë të sigurta

Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, ndodhet në terren së bashku me Drejtuesin Politik të Qarkut, Arbjan Mazniku, për të ndjekur nga afër dhe menaxhuar situatën e krijuar si pasojë e kushteve të vështira atmosferike.
Aktualisht, në Njësinë Administrative Steblevë trashësia e dëborës ka kaluar mbi 40 cm, duke vështirësuar qarkullimin. Strukturat e bashkisë dhe shërbimet përkatëse janë angazhuar në mënyrë intensive për pastrimin e rrugëve dhe mbajtjen e tyre të hapura.
“Ekipet tona janë në të gjitha njësitë administrative duke garantuar qarkullimin e makinave dhe sigurinë e të gjithë banorëve të zonës”, tha kryebashkiaku Disha.
Në çdo njësi administrative vijon monitorimi i pandërprerë i situatës dhe gatishmëria e plotë për përballimin e çdo emergjence të mundshme.
“Në njësinë administrative Polis kemi pasur disa probleme me ngrirjen e rrugës ku kemi marrë masa dhe kemi hedhur kripë në pjesët ku ka patur akull. Në njësinë administrative Lunik ekipet e Drejtorisë së Rrugëve morën masat në kthesat ku kishin probleme dhe aty kemi hedhur kripë. Nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve”, theksoi Disha.
Drejtuesi politik i qarkut Mazniku tha se të gjitha njësitë administrative janë të aksesushme nga mjetet dhe nuk ka asnjë bllokim.
Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zonat e prekura nga reshjet e dëborës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



