Në zbatim të masës “Detyrim paraqitje”, Sali Berisha paraqitet në SPAK

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur këtë të hënë, më 16 mars, në ambientet e SPAK, në kuadër të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij, lidhur me hetimet për dosjen “Partizani”.
Berisha u shoqërua nga një grup mbështetësish dhe disa deputetë të PD, të cilët e pritën para godinës së SPAK.
Pas paraqitjes së tij në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një prononcim për mediat ku ka përsëritur akuzat ndaj sistemit të drejtësisë në vend.
Berisha akuzoi gjyqtaren Irena Gjoka se është mbrojtur në paligjshmëri nga institucionet e drejtësisë, duke përmendur Prokurorin e Përgjithshëm, KLGJ-në dhe ILD-në si institucione që sipas tij kanë vepruar në mënyrë të turpshme dhe të manipuluar. Ai deklaroi se këto struktura kanë zvarritur vendimmarrjen, kanë mashtruar në dokumentacion dhe kanë refuzuar të japin dosjet e kërkuara nga pala ankuese.
“Ky është sistemi më i turpshëm dhe qesharak i drejtësisë. Irena me pesë mbiemra mbrohet nga institucionet që lëpin çizmet e saj. Prokurori i Përgjithshëm u zvarrit dy vite për një vendim që ishte i qartë që në javën e parë. KLGJ-ja ka mashtruar në dokumente, ndërsa ILD nuk jep dosjet e kërkuara,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se sipas tij, këto veprime janë të diktuara nga urdhrat politikë të kryeministrit Edi Rama dhe se sistemi i drejtësisë është i kapur dhe i vetasgjësuar.
Ish-kryeministri përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme për pastrimin e parave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




