Nënshkruhen marrëveshjet e financimit, Gjermania dhe BE-ja mbështesin Transportin e Gjelbër në Tiranë me 81.2 milionë euro

Ekonomi | 3 vite më parë

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj dhe Drejtoresha e KfW në Shqipëri, znj. Brit Horschke nënshkruan Marrëveshjet e Financimit për Projektin e Transportit të Gjelbër në Tiranë në vlerën 50 milionë Euro hua, dhënë nga Qeveria Gjermane nëpërmjet Bankës për Zhvillim KfW, si dhe një grant prej 31.2 milionë Euro, i akorduar nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) për këtë qëllim. Kostoja totale e parashikuar e projektit është 110.37 milionë euro. Pjesa tjetër e financimit do të mbulohet nga Bashkia e Tiranës, në vlerën 29.17 milionë Euro.

Projekti përfshin zbatimin e një sistemi tranziti të shpejtë me autobus (Bus-Rapid Transit-BRT), duke përdorur autobusë me bateri-elektrikë në tre linja transporti në Tiranë (Unaza, Tirana e Re, Kombinat-Kinostudio). Qëllimi i projektit është përmirësimi i ofrimit të shërbimeve në transportin publik si dhe reduktimi i emetimeve të CO2. Kjo për të kontribuar në mbrojtjen e klimës dhe mjedisit, si dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë. 

Nëpërmjet këtij projekti synohet: 

•    Garantimi i një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme, miqësore me mjedisin, si dhe me kosto të pranueshme në raport me sistemet e tjera me kapacitet të lartë të transportit. 
•    Zgjerimi dhe shtrirja e rrjetit të transportit publik, rritja e përdorueshmërisë së tij, si edhe po ashtu rritja e efektivitetit në shërbimin e transportit.
•    Reduktimi i ndotjes mjedisore; 
•    Reduktimi me 20% i kohës së udhëtimit; 
•    Rritja e shpejtësisë së lëvizjes në linjat e reja të transportit, falë sistemit të korsive të dedikuara dhe mënyrës së menaxhimit.

Projekti vjen në kuadër të masave të ndërmarra nga Qeveria për arritjen e objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm dhe në mbrojtje të klimës dhe parashikohet të përfundojë implementimin në fund të vitit 2029.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme