Nga lufta e Ukrainës te fuqia në rritje e Kinës, nis Samiti i G7 në Hiroshima

Në Hiroshima të Japonisë, nis të premten Samiti i Udhëheqësve të Vendeve të G7-ës kur tema kryesore e diskutimit pritet të jenë Rusia dhe Ukraina.
Udhëheqësit e vendeve të G7, që janë SHBA, Japonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja dhe Italia, kanë mbërritur në Hiroshima të Japonisë ku për tre ditë, duke filluar nga e premtja, pritet të diskutojnë ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë, Kinën, por edhe për një sërë çështjesh ku kanë mungesë dakordësie.
“Do të ketë diskutime për situatën në fushëbetejë”, u shpreh këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Jake Sallivan për gazetarët kur u pyet për Ukrainën. SHBA dhe aleatët i kanë dërguar Kievit armë për ta ndihmuar të mbrohet, por kundërofensiva e pranverës e paralajmëruar prej kohësh nga ukrainasit nuk është materializuar ende.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të mbajë një video fjalim për pjesëmarrësit në samit. Salivan gjithashtu tha se udhëheqësit e G7-ës, do të përqendroheshin mbi smbramsjen e Rusisë nga fushëbeteja, duke shtrënguar regjimin e sanksioneve, që tremujorin e fundit ka tkurrur me një tjetër 1.9 % ekonominë e Rusisë.
Ndërsa diskutimet për Kinën pritet të përqendrohen mbi përpjekjet për të mbrojtur ekonomitë e G7-ës nga shantazhi ekonomik, duke rritur gamën dhe llojshmërinë e zinxhirëve të furnizimit dhe tregjet.
Në mosmarrëveshjet me vende që nga Australia e deri tek Kanadaja, administrata e presidentit Shi Jinping ka treguar gatishmëri për të bllokuar, tatuar dhe penguar tregtinë gati pa paralajmërim apo shpjegim.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Salivan tha se liderët e G7-ës pritet të dënojnë këtë shantazhim ekonomik dhe të punojnë për të arritur një qëndrim të përbashkët për mënyrën se si duhet të përballen me Kinën.
Uashingtoni ndërkohë ka marrë një përqasje agresive, duke bllokuar askesin e Kinës tek gjysmëpërçuesit dhe pajisjet më të avancuara dhe ka ushtruar presion ndaj Japonisë dhe Holandës që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.
Por udhëheqësit europianë, veçanërisht ai gjerman dhe francez, janë më të prirur të sigurojnë që ndërmarrja e një përqasjeje që eliminon rrezikun nga Kina nuk do të thotë shkatërrimin e marrëdhënieve me atë vend, që është edhe një nga tregjet më të mëdha të botës.
“Kjo G7 nuk është anti kineze. Kemi një mesazh pozitiv për Kinën, se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me kusht që të negociojmë bashkë”, u shpreh një këshilltar i presidentit francez Emanuel Makron para samitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




