Ngrihet Komiteti i Ekspertëve për Linë e Majmunit: Po fuqizojmë kapacitetet

Një ditë pasi OBSH e shpalli emergjencë globale shëndetësore linë e majmunëve, Ministria e Shëndetësisë në vendin tonë ka ngritur Komitetin e Ekspertëve për Parandalimin dhe Kontrollin e Lisë së Majmunit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se ky komitet do të punojë për të monitoruar dhe për të ndjekur planin e masave që po hartohet nga ISHP për linë e majmunëve.
“Kemi ngritur një komitet të ekspertëve për parandalimin dhe kontrollin e lisë së majmunit, duke vendosur prioritet hartimin e një plani të përgjigjes dhe gatishmërisë për të gjitha strukturat, në funksion të parandalimit dhe kontrollit të kësaj sëmundje infektive. Ndaj ky komitet do të punojë për të monitoruar dhe për të ndjekur planin e masave që po hartohet nga ISHP. Tashmë drafti i parë i planit të masave ka përfunduar. Pavarësisht se Shqipëria është një vend që hyn në vendet e nivelit të parë, pra konsiderohet me një risk të ulët, masat tona dhe përgatitja jonë do të jetë e plotë në mënyrë që të fuqizojmë kapacitetet tona”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se janë marrë masa për fuqizimin e kapaciteteve, duke nisur nga testet laboratorike specifike që tashmë kryhen në ISHP.
“Ajo çfarë ne kemi bërë në parapritje edhe të këtij vendimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që kemi fuqizuar kapacitetet tona në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Aktualisht kanë mbërritur në Institut përgjatë kësaj periudhe 3250 teste për identifikimin dhe diagnostikimin e lisë së majmunëve. Nga ana tjetër, përveç rritjes dhe fuqizimit të kapaciteteve tona të laboratorit, kemi marrë masa për fuqizimin e të gjithë rrjetit të survejancës sentinel. Instituti i Shëndetit Publik ka marrë masat së bashku me Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, me strukturën e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për trajnimin e mjekëve, një element shumë i rëndësishëm në funksion të kontrollit dhe parandalimit të kësaj sëmundje”, tha Manastirliu.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




