Nikolla, letër urimi presidentes së re të PE-së: E bindur se do vijojë mbështetja!

Politikë | 5 vite më parë
 

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi presidentes së re të Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë.

Nikolla shprehu bindjen se Parlamenti Evropian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin evropian.

“Me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë e të nderuar të presidentes së Parlamentit Evropian, ju dërgoj urimet më të përzemërta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht. Jam e bindur se nën lidershipin tuaj, Parlamenti Evropian do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht e me vendosmëri rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe do të intensifikojë e zgjerojë bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Nikolla.

Me një shumicë të qartë, Parlamenti Evropian votoi dje konservatoren Roberta Metsola si presidenten e tij të re, duke zëvendësuar David Sassoli, i cili vdiq papritur javën e kaluar.

Metsola, 43 vjeçe, vjen nga Malta dhe i përket fraksionit të qendrës së djathtë të Partisë Popullore Evropiane (EPP).


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme