Nikolla, pret në takim Ministren e Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Amerikat

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti Ministren e Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Amerikat, deputeten Wendy Morton, e cila ndodhet në Tiranë në një vizitë zyrtare.
Kryetarja Nikolla vlerësoi bashkëpunimin dypalësh gjatë viteve të fundit, konkretizuar në disa vizita të nivelit të lartë, dhe vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë në fushën e drejtësisë, sidomos ndihmën e qeverisë britanike për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, imigracionit të paligjshëm dhe avancimin e reformave ekonomike.
“Reforma e suksesshme në drejtësi po vazhdon të avancojë. Aktualisht ka lindur nevoja e zgjatjes së mandatit të organeve të Vetingut dhe ne kemi besim se për këtë çështje do të kemi edhe mbështetjen e opozitës. Me opozitën do të bashkëpunojmë edhe për avancimin dhe thellimin e reformës zgjedhore dhe reformave të tjera. Unë jam e vendosur për të ndërtuar një klimë të re të bashkëpunimit me opozitën”, nënvizoi Nikolla.
Ministrja Wendy Morton uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe e falënderoi për vlerësimin dhe vullnetin e Shqipërisë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh me Mbretërinë e Bashkuar.
Bashkëpunimi e mbështetja do të vazhdojë, sidomos për konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, trafiqeve, krimit të organizuar etj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




