Nis në mbrëmje Fest 62/ Skenaristi Enkel Demi: Kombinimi i moderatorëve, më i miri deri më sot në Festival

Në prag të çeljes së siparit të Festivalit të ’62 të Këngës në RTSH, i gjithë stafi organizues po zhvillon provat e fundit. Ethet e eventit më të madh të këngës tashmë kanë përfshirë të gjithë performuesit. Festivali do të vijë në regjinë e Pali Kukës dhe skenar të Enkel Demit.
“Ky është një event krejt i veçantë dhe të shkruar fjalët e këtij eventi nuk është diçka e lehtë. Kam të paktën 2 muaj që punoj dhe mendoj që kemi arritur një kombinim të moderatorëve, të roleve të tyre, për mua, nga më të mirat që është bërë deri më sot në Festivalin e Këngës”, bëri me dije Enkel Demi.
Natën e parë i ftuar special është këngëtari Italian, Umberto Tozzi. Ndërsa Drejtori Artistik i Festivalit, Bojken Lako zbulon edhe të ftuarit e natës së dytë.
“Është Aleksandër Gjoka, Indrit Mesiti me grupin e tij nga Franca. Natën e dy do të jetë edhe një surprizë një rikthim në skenë i një prej ikonave të vieteve ’90, Adelina Ismaili”, u shpreh Lako.
Edhe këtë vit do të jetë publiku, i cili do të vendos se cila këngë do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.
“Votimi hapet në fund të natës së dytë pasi janë ekspozuar të 31 këngët dhe qëndron i hapur deri në fund të natës së katërt. Votimi është edhe për ata grupe dhe artistë të rinj ose jo, në kategorinë e debutantëve të cilët nuk kalojnë në finale”, tha Lako.
Por do të jetë juria profesioniste e përbërë nga 11 anëtarë, të përzgjedhur nga fusha të ndryshme të artit, e cila do të vendosë për 6 çmime, mes tyre edhe këngën fituese të çmimit të parë. Ndërkohë në biletarinë e pallatit të Kongreseve dhe platformën vivere.al ka nisur edhe shitja e biletave të natës finale të Festivalit, që do të mbahet të premten e 22 dhjetorit.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




