Nis në RTSH2 emisioni “Shqiptarët pa kufij”, ruajtja e gjuhës shqipe te fëmijët në Greqi në fokus të episodit të parë

Ka nisur në RTSH2 emisioni i ri kushtuar diasporës shqiptare, “Shqiptarët pa kufij”, i drejtuar nga Albana Qiriako, duke sjellë në episodin e parë një temë me peshë të veçantë kombëtare: ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Përmes një reportazhi nga ishulli i Kretës, emisioni solli historitë, përkushtimin dhe emocionet e mësuesve shqiptarë që, prej vitesh, punojnë për t’u mësuar shqipen vogëlushëve të diasporës. Në fokus ishte seminari i mësuesve të gjuhës shqipe nga e gjithë Greqia, një takim i rëndësishëm kushtuar ruajtjes së gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare brez pas brezi.
Që në hapje të emisionit, u përcoll mesazhi se shqiptarët, kudo që ndodhen, mbeten të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin përmes gjuhës, zemrës dhe identitetit të përbashkët. Pikërisht kjo frymë përshkoi të gjithë episodin e parë, ku gjuha shqipe u paraqit jo vetëm si mjet komunikimi, por si kujtesë, identitet dhe urë e fortë me atdheun.
Në këtë episod u transmetuan intervista dhe dëshmi nga përfaqësues institucionesh, mësues, prindër dhe nxënës shqiptarë në Greqi. Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, vlerësoi punën shumëvjeçare të mësuesve që në mënyrë vullnetare japin mësim shqip për fëmijët shqiptarë në diasporë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe të trashëgimisë së gjuhës amtare te brezat e rinj.
Një vend të veçantë zuri edhe mesazhi i Ambasadores së Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga, e cila nënvizoi se mbrojtja dhe promovimi i gjuhës shqipe ndër breza mbetet një nga prioritetet kryesore të punës me komunitetin shqiptar. Sipas saj, brezi i dytë dhe i tretë i shqiptarëve në Greqi përbën sot një urë të rëndësishme komunikimi mes dy vendeve.
Po ashtu, në program u pasqyrua edhe angazhimi i Agjencisë Kombëtare të Diasporës, e cila vuri theksin te mbështetja për mësuesit, promovimi i gjuhës shqipe, ruajtja e kulturës shqiptare dhe ndërtimi i politikave më gjithëpërfshirëse për diasporën në vitet në vijim.
Momente të veçanta emocionuese erdhën nga fëmijët shqiptarë në Greqi, të cilët recituan, kënduan dhe folën me krenari për shqipen si “gjuha ime”, duke dëshmuar se identiteti ruhet e forcohet pikërisht përmes gjuhës së nënës. Prindërit, nga ana tjetër, treguan përpjekjet e tyre të përditshme që fëmijët të flasin shqip në familje dhe të ndjekin shkollat shqipe, edhe pse janë lindur dhe rritur jashtë vendit.
Episodi i parë solli edhe rrëfime prekëse nga mësueset e gjuhës shqipe në Greqi, të cilat folën për sfidat, sakrificat dhe dashurinë me të cilën e ushtrojnë këtë mision. Ato theksuan se mësimi i shqipes nuk është vetëm proces arsimor, por një detyrë morale e kombëtare për të ruajtur rrënjët dhe vetëdijen identitare të fëmijëve shqiptarë në emigracion.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








