Nis shpërndarja e pensioneve të indeksuara, përfitojnë 673,813 pensionistë

Sociale | 5 vite më parë

Në kuadër të Paketës së Rezistencës Sociale, që po zbaton qeveria shqiptare, Instituti i Sigurimeve Shoqërore filloi më 1 prill 2022 shpërndarjen e të gjitha pensioneve të indeksuara, që trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, në masën 3.3 %, me një efekt financiar prej 3.3 miliardë lekësh.

Nga ky indeksim do të përfitojnë 673,813 pensionistë në mbarë vendin.

Gjithashtu nisi dhe dhënia e shpërblimit prej 3,000 lekë, për një periudhë 3-mujore, për disa kategori të veçanta, me qëllim zbutjen e efekteve të ndryshimeve të çmimeve të mallrave të konsumit, të ndikuara nga kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Nga kjo masë do të përfitojnë 576,381 familje dhe individë, përfitues të programit të ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar, dhe pensionistë invaliditeti, familjar dhe pleqërie, nga skema e sigurimeve shoqërore. Efekti financiar llogaritet në rreth 5.2 miliardë lekë. Kjo masë do të përfitohet vetëm një herë për periudhën prill-maj-qershor dhe nuk do të jetë e mundur mbartja e tij në periudhat pasardhëse.

Kategoritë përfituese të përcaktuara në Paketën e Rezistencës Sociale janë: familjet dhe individët përfitues të ndihmës ekonomike, individët përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar, individët përfitues të statusit, sipas Ligjit “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, individët përfitues të statusit “Për statusin e të verbrit”, personat, që përfitojnë pension invaliditeti, personat që përfitojnë pension familjar, personat që përfitojnë pension pleqërie, dhe masa e pensionit mujor të tyre është më e ulët ose e barabartë me 50 % të pagës minimale neto në shkallë vendi; kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie dhe përfitojnë kompensim për efekt të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se është i angazhuar për  informimin e qytetarëve dhe për realizimin e plotë dhe me sukses të këtij procesi, i cili ka për qëllim t’u vijë në ndihmë kategorive më në nevojë të shoqërisë dhe për të cilin janë të disponueshme të gjitha fondet e nevojshme.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme