Nis votimi për kryetarin e ri të PD

Politikë | 5 vite më parë

Partia Demokratike zhvillon sot zgjedhjet për kreun e ri, të cilat kanë nisur në orën 08:00 dhe pritet të mbyllen në 19:00, për të vijuar me numërimin e votave me 19:30, ku brenda orës 08:00 të ditës së nesërme pritet edhe rezultati.

Në garë për të drejtuar partinë e dytë më të madhe në vend janë kreu aktual i PD, Lulzim Basha, i cili kërkon mandatin e tretë në krye të PD, dhe tre demokratë të tjerë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.

Anëtarësia e PD në të gjithë vendin do të votojë mes katër kandidatëve për të zgjedhur kreun e ri të partisë, që do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme.

Janë 75 mijë anëtarët e PD, që pritet t’i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave ata do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin.

Sipas udhëzimit, ata duhet të zgjedhin vetëm 1 prej kandidatëve, pasi vota e tyre do të jetë nul nëse votojnë për më shumë se një prej katër emrave në garë. Në fletën e votimit, Fatbardh Kadilli është i renditur i pari, e pas tij Edith Harxhi, Agron Shehaj e Lulzim Basha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme