Nisma për pyllëzimin në Pogradec, mbillen 50 lloje fidanësh arre në Çërravë
Në fshatin Çerravë të Pogradecit janë mbjellë 50 fidanë të rinj të llojit arrë, në kuadër të një nisme për mbrojtjen e mjedisit dhe pyllëzimin e zonës.
Aktiviteti u realizua falë bashkëpunimit mes një fondacioni dhe Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me Njësinë Administrative Çerravë.
Fidanët u mbollën përgjatë përroit të Çerravës, me synimin për të gjelbëruar territorin, përmirësuar ekosistemin dhe për të kontribuar në parandalimin e erozionit në këtë zonë.
Drejtuesi i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, u shpreh se “kjo nismë është pjesë e misionit të fondacionit për të dhënë një kontribut konkret në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës në komunitetet lokale”.
Ky aktivitet është pjesë e një bashkëpunimi të vazhdueshëm mes Njësisë Administrative Çerravë dhe fondacionit ALSAR, i cili ndër vite ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për familjet në nevojë të zonës, kryesisht përmes shpërndarjes së pakove ushqimore gjatë muajit të Ramazanit dhe festës së Bajramit.
Nisma të tilla vlerësohen si një kontribut i rëndësishëm jo vetëm në aspektin mjedisor, por edhe në forcimin e solidaritetit dhe mbështetjes sociale në komunitetin e Çerravës.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




