Një ditë para protestës, Berisha: Jetike për Shqipërinë! Qëllimi madhor, dorëheqja e Ramës

Një ditë para protestës së paralajmëruar, kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen. Në një tryezë me Shoqërinë Civile, Berisha u shpreh se kjo protestë është jetike për Shqipërinë.
“Ky libër është nga njëra anë një homazh për kauzat dhe aktivistët e Shoqërisë Civile të cilët në kushte shumë të vështira i kanë promovuar dhe mbrojtur këto kauza. Por nga ana tjetër është edhe një mesazh thirrje për të gjithë shqiptarët të bashkohen me këto kauza të drejta, kauza të cilat kanë një emërues të përbashkët: mbrojtjen e lirive të shqiptarëve. Dhe është një nderim dhe homazh gjithashtu për të gjithë ata që nesër do mbushin Bulevardin në një protestë epike do të thosha, në një protestë të një rëndësie jetike për Shqipërinë mbasi siç del çdo orë dhe çdo ditë, Edi Rama dhe ekipi i tij abuzon me liritë, me financat, me qenien, me dinjitetin e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se gjatë këtyre viteve në pushtet vetëm i ka vjedhur shqiptarët, teksa shtoi se, sipas kreut të PD, ai nuk meriton të jetë më në pushtet. Berisha theksoi se qëllimi i kësaj proteste do të jetë pikërisht kërkesa për dorëheqjen e Ramës.
“Ju garantoj që zërat tuaj, kauzat tuaja janë kauza të drejta të cilat do të marrin përgjigjen më të merituar, me largimin e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij. Natyrisht largimi i kësaj qeverie është hapi i parë jetik dhe i domosdoshëm për të rikthyer në Shqipëri ligjin, liritë, dhe për të zhbërë padrejtësitë evidente, të qarta, ndaj qytetarëve. Ju siguroj se për ne, prapa çdo kauze qëndron një liri e dhunuar, pavarësisht grupit, apo përmasat e grupit që është prekur prej saj, konsiderojmë jetike banesën, shtëpinë dhe një dhunim antikushtetues, antiligjor në përputhje me këtë qëndrim ne do të mbajmë të gjitha qëndrimet tona. Por unë mendoj se protesta është rruga, është mënyra për t’i hapur rrugë zhbërjes së padrejtësive që kanë ndodhur. Dhe ju e çdo banor të zonave, viktima të arbitraritetit dhe korrupsionit, viktima të dhimbshme, duhet të bashkohen me ne nesër në protestë. Iliri e shtroi me të drejtë, gjithë kjo betejë është një betejë për të ardhmen. Është një betejë në të cilën mësimet e të shkuarës duhet të na nxisin, të na frymëzojnë, të na udhëzojnë që të mos përsëriten gabime të të shkuarës dhe të përpiqemi të ndërtojmë një të ardhme tjetër për shqiptarët në këtë vend. Ne zgjidhjen e këtyre kauzave e gjejmë me largimin e qeverisë nga pushteti. Dorëheqja dhe largimi i qeverisë së Edi Ramës, është objektivi kryesor, është qëllimi më madhor i protestës së 7 korrikut dhe protestave që do të vijnë më pas të popullit opozitar“, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




