Një gjykatës federal duket i gatshëm të zbulojë pjesë nga dokumenti që mbështeti urdhrin e kërkimit në shtëpinë e Trump

Botë | 4 vite më parë

Një gjykatës federal urdhëroi sot Departamentin e Drejtësisë që të pranojë redaktimet e propozuara, pasi ai u angazhua për të bërë publike të paktën një pjesë të deklaratës që mbështet urdhrin e kërkimit në pasurinë e ish-presidentit, Donald Trump, në Florida. 

Gjykatësi i magjistraturës amerikane Bruce Reinhart u dha prokurorëve një javë për të dorëzuar një kopje të deklaratës me redaktimet e propozuara për informacionin që dëshiron të mbajë sekret, pasi FBI gjeti informacione të klasifikuara dhe tepër sekrete gjatë një kontrolli në pronën e Trump në Mar-a-Lago, javën e kaluar. 

Departamenti i Drejtësisë e ka kundërshtuar me vendosmëri bërjen publike të deklaratës, duke argumentuar se një gjë e tillë do të komprometonte hetimin në vazhdim, do të ekspozonte identitetin e dëshmitarëve.   Avokatët e organizatave të lajmeve, megjithatë, argumentuan se natyra e paprecedentë e hetimit të Departamentit të Drejtësisë kërkon zbulim publik. 

Përveç urdhërimit të redaktimeve, gjyqtari pranoi të bënte publike dokumente të tjera, duke përfshirë fletën e mbulimit të urdhër-arrestit, mocionin e Departamentit të Drejtësisë, për të vulosur dokumentet, si dhe urdhrin e gjyqtarit që kërkon vulosjen e tyre. Këto dokumente treguan se FBI po hetonte në mënyrë specifike “mbajtjen e qëllimshme të informacioneve të mbrojtjes kombëtare”, fshehjen ose heqjen e të dhënave të qeverisë dhe pengimin e një hetimi federal. 

Jay Bratt, një prokuror i lartë i sigurimit kombëtar të Departamentit të Drejtësisë, kishte argumentuar se deklarata duhet të mbetet e fshehur nga publiku.  Ai argumentoi se ishte në interesin publik që hetimi, duke përfshirë intervistat e dëshmitarëve, të vazhdonin pa pengesa. Me fillimin e seancës, një karvan i vogël automjetesh me flamuj Trump kaluan pranë gjykatës federale në West Palm Beach, Florida.

Një avokate e Trump, Christina Bobb, ishte në gjykatë të enjten, por tha se ishte atje vetëm për të vëzhguar procedurën gjyqësore. Bratt argumentoi në gjykatë se edhe një version i redaktuar i dokumentit mund të zbulonte hapat hetimor, si dhe për të identifikuar dëshmitarët.  Ai pohoi gjithashtu se Departamenti i Drejtësisë kishte bërë tashmë hapa të rralla për të sjellë transparencë, duke përfshirë kërkesën që gjykata të çvuloste urdhër-arrestin, faturën e pasurisë, të cilat u bënë publike javën e kaluar. “Ka një interes të shtuar,” pranoi ai. “Kjo ka të ngjarë të jetë një situatë e paprecedentë.”

Reinhart i dha kohë qeverisë deri të enjten e ardhshme, për të paraqitur versionin e saj me redaktimet e propozuara. Ai tha se më pas do ta shqyrtojë versionin, si dhe mund të takohet me avokatë të qeverisë që t’u japë atyre një shans për të argumentuar pse informacioni specifik duhet të fshihet. 

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë kanë argumentuar në një dosje gjyqësore se hetimi për trajtimin e “materialit shumë të klasifikuar” nga Trump, është në vazhdim dhe se dokumenti përmban informacione të ndjeshme për dëshmitarët. Agjentët e FBI-së kontrolluan pronën e Trump në Mar-a-Lago më 8 gusht, duke gjetur 11 grupe dokumentesh të klasifikuara, me disa jo vetëm të shënuara “top-sekret”, por edhe “informacione të ndjeshme”.  

Kjo është një kategori e veçantë që synon të mbrojë sekretet më të rëndësishme të kombit që, nëse zbulohen publikisht, mund të shkaktojnë dëme “jashtëzakonisht të rënda” për interesat e SHBA.  Procesverbalet e gjykatës nuk japin detaje specifike, në lidhje me informacionin që mund të përmbanin dokumentet. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme