Një vështrim mbi pensionet dhe pensionistët

Ekonomi | 5 vite më parë

Qeveria e re ka shprehur vetëm dëshirën e mirë për të mbështetur armatën e rreth 700 mijë pensionistëve shqiptarë, që përbëjnë 23 për qind të popullsisë, duke premtuar një rritje domethënëse të pensioneve, përtej bonusit special në fund të vitit dhe rritjes standard prej 5 për qind në vit. Kryeministri deklaron se akoma nuk është e mundur “që ne të hedhim një hap të guximshëm përpara, me një rritje domethënëse të pensioneve”

Sipas të dhënave zyrtare, edhe pse shpenzimet për to janë rritur nga 90 miliardë në 134 miliardë lekë, pensionet vijojnë të jenë edhe poshtë pagës minimale, nga 14. 069 lekë deri në 28. 138 lekë. Paga mesatare në vitin 2020 ishte 54,951 lekë, ndërsa pensioni mesatar në qytet ishte 15,732 lekë, ose sa 57% e gjysmës së pagës mesatare, duke e klasifikuar pjesën dërrmuese të pensionistëve në normën e varfërisë.

Skema publike jep pagesa për një popullsi më shumë se 4 milionë banorë, referuar regjistrave të gjendjes civile. Kjo do të thotë se përfitues janë të gjithë ata persona që jetojnë jashtë vendit, por përfitojnë pension të pjesshëm. Ndërkohë që numri i përfituesve po rritet me shpejtësi, brenda një viti, numri i tyre u rrit me 14,600 persona, nuk ndodh e njëjta dukuri me kontribuesit, të cilët janë në rënie për shkak të tkurrjes së popullsisë së re në moshë. Në vitin 2020, kishte 1,1 kontribues për një përfitues, duke shënuar përkeqësim në raport me vitin 2019.

Shumë shpejt, vendi do të ketë më shumë se një të tretën e popullsisë banuese në moshë pensioni dhe në kushtet e varfërisë. 

Nga 665 pensionistë në total, të cilët aktualisht janë në skemën publike të pensioneve, 17% e tyre konsiderohen pensione rurale. Masa e pensionit rural është 9295 lekë, ndërkohë që masa e pensionit social është rreth 7400 lekë.

Pensionet e reja, vit pas viti, do të dalin me një vlerë më të ulët se pensionet paraardhëse, pasi kanë nisur të reflektohen problemet e tranzicionit. Informaliteti i lartë në tregun e punës, deri në 60%, sipas Organizatës së Punës (ILO), përveçse ndikon në të ardhura të ulëta nga sigurimet shoqërore, po ekspozon personat që kanë punuar në të zezë ndaj pagesave të ulëta në vitet në vijim.

Ekspertë të tjerë, vendas apo të huaj sugjerojnë gjithashtu se skema publike duhet të forcohet më tej, duke e mbështetur te politikat që zgjerojnë mbulimin me kontribute, duke zvogëluar ekonominë informale dhe duke krijuar kursime private.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme