Njeriu që jetoi 18 vite në aeroport dhe frymëzoi filmin “The Terminal” ndahet nga jeta po në aeroportin e Parisit

Botë | 4 vite më parë

Refugjati iranian Mehran Karimi Nasseri, i cili jetoi brenda aeroportit Paris-Charles de Gaulle në Paris për 18 vite dhe frymëzoi filmin e Steven Spielberg të vitit 2004 “The Terminal”, ndërroi jetë më 12 nëntor, por brenda të njëjtit aeroport.

Ai u shpall i vdekur nga ekipi mjekësor i aeroportit në Terminalin 2F për shkaqe natyrore. Nasseri, një refugjat iranian, ishte rrugës për në Angli nëpërmjet Belgjikës dhe Francës në vitin 1988 dhe nuk mundi të hipte në një fluturim dhe as të largohej nga aeroporti për shkak të disa parregullsive që kishte me letrat e emigracionit.  Kjo bëri që Mehran Karimi Nasseri të kthente aeroportin në shtëpinë e tij në vitin 1988.

Historia e Naserit brenda aeroportit frymëzoi filmin “The Terminal” i luajtur nga Tom Hanks në 2004.

Nasserit përfundimisht iu dha e drejta për të jetuar në Francë në 1999, por ai qëndroi në aeroport deri në vitin 2006, kur u dërgua në spital për t’u trajtuar për një sëmundje. Më pas ai kaloi kohë duke jetuar në një azil dhe në shtator të 2022 ishte kthyer sërish në aeroportin e Parisit , ku dhe ndërroi jetë.

Një zëdhënës i aeroportit tha se Nasseri ishte një personazh ikonë në aeroport dhe se “i gjithë komuniteti i aeroportit ishte i lidhur me të, dhe stafi ynë u kujdes për të sa më shumë që të ishte e mundur gjatë shumë viteve”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme