Nuk ka zgjidhje politike, Kosova shkon sërish në zgjedhje, të tretat në 15 muaj. Çfarë ndodhi mbrëmjen e së martës

Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja kombëtare, më së voni në qershor, pasi Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, që përfundoi në minutën e fundit të 28 prillit.
“Zgjedhjet do të shpallen në afatin kushtetues”, tha kryetarja e parlamentit, Albulena Haxhiu, kur i vuri “drynin” Kuvendit, 1 minutë pasi hyrjes së 29 prillit.
Pavarësisht disa tentativave dhe seancave të njëpasnjëshme, partitë politike nuk arritën të sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit. Vetëvendosje propozoi 4 kandidatë, dy herë nga dy, por nuk ia doli të sigurojë 80 vota gjithsej, të cilat mund t’i bënte vetëm me ndihmën e opozitës.
Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën e Fatmire Kollçakun në përpjekjen e parë, ndërsa Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën në të dytën. Për to nuk u sigurua numri “magjik” prej 80 votave, pasi opozita refuzoi të jetë pjesë e këtyre përpjekjeve.
LDK u përfshi në një mundësi të vogël për t’u bërë pjesë e një marrëveshje me VV-në, por kjo e fundit refuzoi ta pranojë opsionin e preferuar të Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmanin për presidente të “përsëritur”.
PDK gjatë gjithë kohës refuzoi të bashkëpunonte me VV-në për çështjen e kryetarit, por në një periudhë më të hershme kishte kërkuar që ajo të propozonte dy kandidatë për president, në mënyrë që njëri nga ta të zgjidhet. Kjo gjë nuk ishte pranuar nga Vetëvendosje. Zgjedhjet që pritet të mbahen janë të tretat në 15 muajt e fundit për Kosovën.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




